Kryeministri uron presidentin e ri të Austrisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar presidentin e porsazgjedhur të Austrisë, Alexander Van der Bellen.

Lajme

23/05/2016 21:22

 

“Shpreh bindjen time të plotë se me presidentin Van der Bellen në krye, Republika e Austrisë do të vazhdojë të jetë partner i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës, me theks të posaçëm në rrugën integruese evropiane”, ka thënë kryeministri Mustafa, duke i uruar suksese në detyrën e tij presidentit të ri të Austrisë, Alexander Van der Bellen.

Bellen ka fituar me një rezultat mjaft të ngushtë, duke marrë 50,3 për qind të votave kundrejt 49,7 përqind të kandidatit të FPO-së Norbert Hofer.

Sipas mediave austriake, vendimtare në fitoren e Van der Bellen ishin votat e austriakëve që jetojnë jashtë vendit.

Hofer kishte qëndrime negative për Kosovën. Ai më herët ka thënë se kur bëhet fjalë për Kosovën, “plagët janë të freskëta”, ndaj kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë BE-në dhe OKB-në.