Kryeministri turk: Asnjë forcë s’mund ta ndajë Shkupin nga Stambolli

Ahmet Davutoglu gjatë vizitës së tij në Çarshinë Turke të Shkupit, u prit me lot gëzimi nga bashkatdhetarët e tij, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolya.

Lajme

23/12/2014 23:49

Në kuadër të vizitës së tij në Shkup, pas konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski, vizitoi Çarshinë e Shkupit, që ndodhet në qendër të qytetit. Davutoglu me këtë rast tha: “Edhe pse me trup ndodhem në Ankara, me shpirt gjithmonë ndodhem në Maqedoni, në Bosnjë në gjithë rajonin Rumeli”.

“Problemet tuaja janë problemet tona. Nëse në këmbën tuaj ngulet një gjemb, në shpirtin tonë ngulet një thikë. Nëse këtu lëviz një guralec i vetëm, duke rënë poshtë nga xhamitë kujtim të paraardhësve, në botën tonë do të ishte një tërmet i madh. Një gjë duhet të dini, çdo kush prej jush ka ndoshta detyrën më të madhe dhe të shenjtë të jetojë dhe të përjetojë traditat, fenë tuaj në mënyrë të ndershme dhe në paqe, dhe është nën garancinë tonë. Qeveria e Republikës së Turqisë kurrë nuk do të ju lë vetëm”.

Duke thënë se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë janë shumë të mira, Davutoglu theksoi se në katër muajt e fundit janë zhvilluar shumë takime mes dy vendeve. Ai shtoi se asnjë forcë nuk mund ta ndajë Stambollin nga Shkupi dhe iu tha qytetarëve të pranishëm që të mos harrojnë asnjëherë se kanë prapa 77 milion vëllezër.