Kryeministri Thaçi, uron që fryma e islamit tolerant në Kosovë të vazhdojë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar besimtarët mysliman me rastin Festës së Fitër Bajramit, ka thënë se besimtarët islam në Kosovë, shquhen për tolerancë, vepra humane, urtësi dhe ka uruar që kjo frymë të vazhdojë.

Lajme

26/07/2014 18:13

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava dhe besimtarët islamë të Kosovës, me rastin e Festës së Fitër Bajramit.

Në urim thuhet se Festa e Fitër Bajramit është rast i  mirë të ndajmë urimet më të mira dhe të punohet për një të ardhme më të mirë. 

Urimi i plotë nga kryeministri Thaçi: 

I nderuari z. Tërnava,

Të nderuar qytetarë të Kosovës të besimit islam,

Kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim të gjithë besimtarëve të besimit islamë të Kosovës t’ua uroj Festën e Fitër Bajramit.

Fitër Bajrami vjen pas muajit të madhërishëm të Ramazanit, muajit të agjërimi, ku besimtarët u sprovuan me thellimin e besimit, disiplinën shpirtërore dhe fizike, duke kryer një obligim fetar të rëndësishëm të fesë islame.

Festa e Fitër Bajramit është një rast për të gjithë ne, si qytetarë të këtij vendi, të ndajmë mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punojmë për një të ardhme edhe më të mirë për vendin tonë.

Qytetarët tanë të besimit islam shquhen për kultivim të vlerave humane, për urtësi, shpirt paqësor, tolerant dhe respekt për njerëzit e besimeve të ndryshme.

Urojmë qe kjo frymë e mirëkuptimit dhe kultivimit të vlerave që na bashkojnë të vazhdojë dhe të thellohet gjithmonë në mesin tonë, duke e bërë Kosovën vend te paqes, përparimit dhe harmonisë midis njerëzve të përkatësive të ndryshme etnike dhe religjioze.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të jetë vend i përcaktuar për perspektivën e saj euroatlantike, si shtet i lirë dhe demokratik, që do të thellojë edhe më tej respektimin e lirive fetare dhe kulturore të të gjithë qytetarëve të saj.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, uroj edhe njëherë të gjithë besimtarët islamë me rastin e Festës së madhe të Fitër Bajramit, duke iu dëshiruar më shumë paqe, harmoni, solidaritet dhe unitet në familjet e tyre.