Kryeministri takon Obamën

Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i SHBA’ve, Barack Obama dhe Zonja e Parë.

Lajme

25/09/2013 15:57

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në punimet e sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së në New York, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i SHBA’ve, Barack Obama dhe Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë kësaj pritjeje, Kryeministri Thaçi shkurtazi e ka njoftuar Presidentin e SHBA’ve, Barack Obama, për të arriturat e shtetit të Kosovës gjatë periudhës së paspavarësisë dhe ka prezantuar vizionin dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur në plotëni agjendën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

“Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës ka falënderuar Presidentin Obama për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, duke filluar nga procesi i çlirimit të Kosovës, procesi i pavarësisë dhe tani në procesin e integrimit në BE dhe në NATO.”

“Nga ana e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka vlerësuar lidershipin e Kryeministrit Thaçi në kuadër të procesit të shtetndërtimit të Kosovës, duke theksuar rolin e tij konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.”