Kryeministri sot e ka marrë rrogën 3000 euro!

Ministria e Financave ka ekzekutuar sot pagat me rritje dhe në formë retroaktive, konform vendimit të qeverisë.

Lajme

29/06/2018 18:38

Muharrem Shahini, zyrtar për informim në Ministrinë e Financave, e ka konfirmuar për KALLXO.com se pagat janë ekzekutuar me rritje

“Po, pagat janë ekzekutuar me rritje”, tha ai.

Në pyetjen se a janë ekzekutuar në formë retroaktive, Shahini tha se nuk e di saktë për secilin institucion, por tha se retroaktiviteti është aplikuar në ato institucione që i kanë dërguar listat, ndërsa për ato që nuk i kanë dërguar, do të aplikohet muajin e ardhshëm.

KALLXO.com ka pyetur edhe për kategorinë nga e cila janë ekzekutuar pagat, meqë rritja nuk është paraparë me Ligjin për Buxhetin 2018, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në fund të dhjetorit 2017 për dyfishimin e pagave për kabinetin e tij, të gjithë ministrat me stafin përcjellës dhe disa kategori tjera.

Ky vendim kishte shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe pas opinionit të kësaj gjykate se i njëjti nuk bie ndesh me Kushtetutën, Qeveria kishte rikthyer vendimin e shfuqizuar sa ishte në këtë gjykatë.

I vetmi ministër deri tash që ka refuzuar pagën e rritur deri më tani është ai i Financave, Bedri Hamza, bashkë me ekipin e tij të këshilltarëve.

Paga e kryeministrit dhe ministrave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ia kishte dyshfishuar pagën vetes në dhjetor të vitit të kaluar, por vendimi u zbatua vetëm tash pasi që çështja kishte përfunduar në Gjykatë Kushtetuese.

Nga 1 mijë e 443 euro sa e kishte, rroga e kryeministrit tash e tutje do të jetë 2 mijë e 950 euro, shkruan lajmi.net.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për rritje të pagave edhe të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe të gjithë kabinetit të tij.

Rroga për një ministër ka arritur në 2 mijë euro nga 1 mijë e 270 sa ishte më parë.

Listën e plotë të pagave të rritura me vendimin e datës 20 dhjetor mund ta shihni më poshtë: