Kryeministri sllovak, homologut spanjoll: Askush s’po na kërkon ta njohim Kosovën

Kryeministri Sllovak, Peter Pellegrini, duke folur në parlamentin e Sllovakisë, ka komentuar edhe vendimin për bojkotimin e samitit të Sofjes nga ana e homologut të tij spanjoll, Mariano Rajoy, vendim ky që erdhi për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë samit.

Lajme

16/05/2018 13:15

Sipas tij, Bratisllava zyrtare nuk ka për qëllim që të ndryshojë diçka e cila do të dërgonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Askush nuk është duke na kërkuar që ta njohim pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Pellegrini duke komentuar vendimin e kryeministrit spanjoll, transmeton lajmi.net.

Sipas tij formati i këtij samiti nuk do të jetë i atij lloji që do të marrë vendime për zgjerimin e BE-së nga vendet e Ballkanit Përendimor, dhe bisedimet do të jenë vetëm të nivelit teknik.

“Samiti i Sofjes nuk do të jetë për zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit Përendimor, vendime të tilla nuk do të mirren aty, bisedimet do të jenë vetëm të një niveli teknik. Mirëpo bisedimet që do të bëhen me shtetet e Ballkanit Përendimor do të jenë në atë formë që do t’i dërgohet një sinjal i qartë BE-së se e ardhmja e këtyre vendeve është në Union”, shtoi Pellegrini.

Sllovakia është njëra nga pesë vendet e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo përkundër qëndrimeve të saj, ky shtet e ka konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e Sofjes./lajmi.net/