Kryeministri s’donte të arrestohej Gjuriqi, ishte kundër që ai të sillej në Prishtinë

Edhe pse Policia e Kosovës që e kreu operacionin e arrestimit të Marko Gjuriqit është nën urdhrat e vartësit të tij në Ministrinë e Brendshme, operacioni duket se nuk ka shkuar saktësisht si do të dëshironte Ramush Haradinaj.

Lajme

17/04/2018 10:32

Kryeministri i vendit ka thënë se preferonte që Gjuriq të deportohej menjëherë në Serbi, e jo të të sillej fillimisht në Prishtinë, ashtu siç ndodhi në realitet.

Haradinaj ka thënë se i kishte lutur Marko Gjuriqin të priste edhe një ditë kur do të lëshohej leja për të hyrë në Kosovë, transmeton GazetaMetro.net.

“Edhe personalisht e kam lutur, përmes të gjitha kanaleve, të priste deri të nesërmen kur do të skadonte ndalimi i hyrjes. Po të kishte pritur edhe një ditë, gjithçka do të ishte në rregull. E dini, po të mos reagonim, do të reagonte opozita”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për TV Happy të Serbisë.

“Ishin një sërë rrethanash të vështira, dhe Serbia gaboi”, u shpreh ai.

I pyetur për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se pas një telefonate të tij në Prishtinë, ishte liruar edhe Gjuriqi, Haradinaj tha se nuk e dinte se me kë ka folur, por jo me të.

Sidoqoftë, Haradinaj tha se askush nga udhëheqësit në Kosovë nuk ishte i interesuar që kjo punë të zgjatej.

“Unë isha për atë që ai të mos sillej në Prishtinë, që sa më parë të kryhej ajo punë dhe ai njeri të kthehej në shtëpinë e tij”, deklaroi Haradinaj.