Kryeministri Rama në Ulqin: Do ecim drejt bashkimit kombëtar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur përsëri për bashkimin e shqiptarëve. Ai ka thënë në Ulqin se shqiptarët po ecin drejt bashkimit kombëtar, por sipas tij, kjo do të ndodhë në familjen evropiane.

Lajme

04/04/2015 17:41

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se shqiptarët kanë barrën e veçantë të jenë nxitës të lidhjeve të paqes dhe stabilitetit në rajon, duke pasur në këtë mënyrë përgjegjësinë historike për të dhënë shembull.

“Kënaqësi krejt e posaçme prej nderit te madh që ju me bëni me këtë titull. Çmoj praninë e Presidentit të Malit të Zi në këtë ceremoni që bashkon ne si shqiptare e malazez në një moment festiv por edhe reflektimi për rrugën e përbashkët. Në këtë rrugë Ulqini është një pikë përbashkimi mes shqiptarëve dhe malazezëve. Na takon në këtë kohe të re të paqes të jemi nxitës të lidhjeve të paqes, por shqiptarëve iu bie një barrë e veçantë pasi sot janë më mirë se ç’kanë qenë po kanë përgjegjësinë historike për dhënien e shembullit të tyre”, u shpreh kryeministri Rama sot në Ulqin.

Kreu i qeverisë tha se i gjithë komuniteti shqiptar po ecën drejt bashkimit të të gjithë shqiptarëve në familjen evropiane. “Do ecim drejt bashkimit kombëtar, të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në familjen evropiane”, tha Rama. (ul.info.com)