Kryeministri për bërllokun e shumtë në vend: Turpi jonë

Gjendja e ambientit në Kosovë nuk është e mirë, tha kryeministri Ramush Haradinaj në Konferencën për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Lajme

30/05/2018 11:45

“Nuk jam i kënaqur me gjendjen që e kemi vetë, edhe pse vetëm dje qeveria që udhëheq ka aprovua strategjinë, njëkohësisht kemi emërua një koordinator, z.Rugova. Nuk jam i kënaqur dhe nuk mendoj që është gjendja e mirë. Mendoj që është koha e fundit që ta kuptojmë rëndësinë e ambientit”.

Haradinaj ka kërkuar nga të gjithë partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë që në vjeshtë të bashkohen dhe të bëjnë një pastrim të përgjithshëm të mbeturinave, raporton Ekonomia Online.

“Një punë që du me thanë sot para juve dhe shpresoj që edhe ministrja Albena do të më ndihmojë, shpresoj edhe institucionet e BE-së dhe Amerikës, të gjithë partnerët të bëhen bashkë në vjeshtë ta bëjmë një pastrim gjeneral gjithkund në Kosovë për mbeturinat që janë hedhur që 20 vjet”.“

Sot ato i shohim dhe me të vërtetë janë turpi jonë. Prej shtatorit kur bien vegjetacioni kishim mund me bë një aksion të përgjithshëm”, shtoi Haradinaj.

Java për Zhvillim të Qëndrueshëm organizohet për herë të parë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Përfaqësuesen e Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, Bashkëpunimin Gjerman për Zhvillim (GIZ) dhe Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Përpos kryeministrit Haradinaj në këtë ngjarje marrin pjesë edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, zv.kryeministri i parë Behgjet Pacolli, Shefja  e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, , ish-zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, e shumë personalitete e ekspertë vendës e ndërkombëtarë.