Kryeministri Mustafa thotë se do të bëhen ndryshime në Qeveri

Kryeministri Mustafa, në një shkrim në faqen e tij në Facebook, ka shkruar në lidhje me riformatizimin e Qeverisë. Ai ka thënë se vlerësimi i performansës së ministrive, anëtarëve të Qeverisë, ministrave por edhe të zëvendësministrave bëhet në vazhdimësi.

Lajme

27/05/2016 07:48

Kryeministri Mustafa ka thënë se do të diskutojnë me partnerin e koalicioni dhe do të vendosin për ndryshime. Ai ka përmendur dy pozita në Qeveri, atë të zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, duke thënë se do të bëhen plotësimet e nevojshme pas zgjedhjes së Thaçit President.

Shkrimi i plotë i Isa Mustafës:

Qytetarë të nderuar,  Meqenëse ka interesim të opinionit se a do të ketë ndryshime në qeveri, dua të sqaroj se vlerësimi i performansës së ministrive, anëtarëve të Qeverisë, ministrave por edhe të zëvendësministrave bëhet në vazhdimësi.

Varësisht nga kjo me partnerin e koalicionit do të vendosim për ndryshime.  Është raporti i punës së Qeverisë për vitin 2015, në të cilin janë detajizuar përmbushjet e objektivave në të gjitha fushat, që shërben për të vlerësuar punën në përgjithësi, por edhe veç e veç për dikastere të caktuara.

Rezultatet e Qeverisë janë evidente, mirëpo gjithëherë ka hapësirë për përmirësime.

Krahas kësaj, do të bëhen edhe plotësimet e nevojshme , si rrjedhojë e zgjedhjes së z. Hashim Thaçi President i Republikës së Kosovës, nga pozita e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme. Janë prioritetet qeveritare, mbarëvajtja e punës së Kuvendit, por edhe Ligji për Qeverinë, çështje të cilat i kemi trajtuar dhe i trajtojmë rregullisht me Kryetarin e Kuvendit, z. Veseli. IM