Kryeministri Mustafa në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik Kosovë – Itali

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, udhëheqë delegacionin qeveritar të Kosovës në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, që do të zhvillohet nesër në Romë.

Lajme

30/01/2017 17:25

Në këtë forum, ku do të jenë të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, disa ministra dhe zyrtarë të institucioneve të fushës, pritet të marrin pjesë një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të bizneseve italiane dhe kosovare, të cilët kanë interesim për investime dhe bashkëpunim ekonomik në fusha të ndryshme.

Forumi do të përqendrohet tek sektorët që lidhen me teknologjinë agroindustriale, teknologjinë e industrisë së ushqimit, teknologjinë e industrisë së qumështit, teknologjinë e përpunimit të drurit, tekstilit, veshmbathjeve dhe lëkurës, investimet në energji, ndërtimtari, infrastrukturë si dhe në teknologjinë informative dhe paraqet një mundësi shumë të mirë për tërheqjen e investimeve italiane në Kosovë.

Në këtë Forum, do të jenë të pranishme biznese italiane mbështetëse dhe agjentë të shumtë që përfaqësojnë industri shitëse dhe blerëse, si dhe kompani financiare që mbështesin kreditimin e eksportit të këtyre pajisjeve me kushte të volitshme.