Kryeministri me plis të bardhë në panairin “Prishtina 2014” (Video)

Panairi ndërkombëtar “Prishtina 2014\", u hap të mërkurën me një ceremoni të organizuar, ku  përveç përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Aleanca Kosovare të Biznesit, ishin të pranishëm edhe kryeministri Hashim Thaçi, ministra të kabinetit qeveritar dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Lajme

30/04/2014 17:09

Në këtë panair po marrin pjesë 143 kompani, 90 prej tyre kosovare, ndërsa të tjerat nga vendet e rajonit, përfshi edhe Serbinë.

Kryeministri Thaçi në hapje të këtij panairi, tha se Qeveria e Kosovës është duke punuar për forcimin e sektorit privat si dhe luti të gjitha bizneset ta shfrytëzojnë Fondin, i cili do themelohet për zhvillim dhe punësim.

“Bashkëpunimi në mes Qeverisë së Kosovës dhe biznesit po thellohet çdo ditë e më tepër dhe tani kemi implementuar edhe zotimin dhe kemi nxjerr edhe vendimin për krijimin e zonave të lira ekonomike në Kosovë, siç është ajo në Mitrovicë, Gjakovë dhe Prizren”.

Kryeministri tha se në të njëjtën kohë po merren vendime të rëndësishme të reformave që ia lehtësojnë dhe krijojnë kushte shumë më të mira për biznesin kosovar.

“Jam i bindur se ky bashkëpunim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe komunitetit të biznesit, vendin tonë, shtetin e Kosovës do ta bëjë vendin më atraktiv për investime në rajon”.

“Në kuadër të lehtësimit të punës për biznesin, por edhe mundësisë së krijimit të vendeve të reja të punës, forcimit të biznesit kosovar, tani jemi në fazën finale të formësimit të idesë për nxjerrjen e vendimit për krijimin e Fondit për Zhvillim, Investim dhe Punësim”.

“Ne jemi duke e ftuar vazhdimisht shpirtin ndërmarrës, të ri për krijimin e bizneseve të reja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Fondi prej 1.5 miliardë i Qeverisë së Kosovës, Fondi për Punësim dhe Zhvillim, do të jetë në dispozicionin tuaj për forcimin e ndërmarrjeve tuaja, për zgjerimin e tyre, për rritjen e prodhimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Shfrytëzojeni këtë mundësi”, tha kryeministri.

Ndërsa kryetari i OEK-ut, Safet Grxhaliu, falënderoi qeverinë e sidomos Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, e cila e bëri të mundur shfrytëzimin e qendrës së panairit. Ai tha se e veçanta e këtij panairi, i cili do të zgjasë deri më datën 3 maj, është se për herë të parë po marrin pjesë një grupi i kompanive nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.