Kryeministri lavdërohet para studentëve, u thotë se ka bërë punë të mëdha

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti një grup prej 120 studentëve nga Universitetet e Vjenës dhe Venedikut, duke thënë se është respekt i madh për Kosovën që këta studentë janë këtu sot dhe i falënderoi për angazhimin e tyre që po japin për një imazh të mirë për vendin tonë te vendet ku ata jetojnë.

Lajme

19/01/2018 13:33

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka arritur rezultate të mira në shumë fusha të jetës së saj politike, sociale, ekonomike, por theksoi edhe sfidat të cilat i përcjellin veprimtaritë e ndryshme të jetës.

 Kryeministri njoftoi studentët poashtu për çështjen energjetike, sundimin e ligjit, forcimin e institucioneve për zbatimin e ligjit, shëndetësinë, arsimin dhe fusha të tjera të rëndësishme.

“Ne do të përkushtohemi për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe jam optimist për Kosovën, me të gjitha sfidat dhe vështirësitë tona. Ne kemi qenë me fat, që në rrugëtimin tonë, e kemi pasur ndihmën e vendeve mike”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se me rëndësi të veçantë është që të gjithë të ndihen të barabartë, pa marrë parasysh etnitetin e tyre.

 Udhëheqësja e këtij grupi, Marijana Grandits nga Universiteti i Vjenës, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke theksuar se vizita në Kosovë është mundësi e mirë për t’u njoftuar për situatën këtu, për vizionin dhe planet e kryeministrit Haradinaj për Kosovën.  Ajo tha se tash e 15 vjet prej kur vizitojnë Kosovën kanë marrë përshtypje të mira nga njerëzit këtu.

 Kryeministri Haradinaj u është përgjigjur studentëve në pyetjet e tyre që kishin të bënin me reformat në arsim, llogaridhënien dhe transparencën e institucioneve, çështjen e liberalizimit të vizave dhe demarkacionin./Lajmi.net/