Kryeministri lanson shërbime financiare jo-bankare në Postën e Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë në inaugurimin e Shërbimeve Financiare jo Bankare në Postën e Kosovës, përmes të cilave do të bëhen pagesa në të gjitha filialet e Postës së Kosovës.

Lajme

24/04/2014 13:09

Në fjalën e tij para të pranishmëve në ceremoninë e lansimit të këtij shërbimi, kryeministri Thaçi e cilësoi si hap mjaft të rëndësishëm këtë projekt.

“Shërbimet që ju tani e tutje do t’ia ofroni qytetarëve të vendit, janë shërbime moderne që i kanë munguar vendit dhe qytetarëve tanë, janë shërbime evropiane, janë shërbime këto që ia lehtësojnë jetën qytetarit, t’ia lehtësojnë punën qytetarit dhe natyrisht është një shembull i mirë edhe në nivel të rajonit”, tha kryeministri Thaçi.

Më tej kryeministri Thaçi theksoi rolin dhe mbështetjen e ministrive përkatëse në zhvillimin dhe avancimin e shërbimeve të cilat i vlerësoi si një shembull i mirë të këtyre shërbimeve edhe në nivel të rajonit.

“E keni pasur mbështetjen e plotë dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtë, edhe ministritë përkatëse që të keni sukses edhe më tepër dhe të jenë shembull edhe në nivel të rajonit”.

“Kam besim të plotë se ju do të ndërmerrni edhe hapa tjerë të rëndësishëm dhe definitivisht, shërbimi postar në Kosovë do të jetë ai i vendeve të Bashkimit Evropian, i standardeve dhe kritereve të Bashkimit Evropian”.

“Suksesi juaj është suksesi i shtetit të Kosovës, është suksesi i institucioneve të Kosovës, është suksesi i Kosovës së re, është suksesi i Kosovës evropiane”, ka thënë ndër të tjera kryeministri.