Kryeministri kujton vendimin e GJND-së, legjitimitetin e Deklaratës së Pavarësisë

Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ka përkujtuar ditën kur para katër vjetësh Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi legaliteti dhe legjitimiteti i Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Lajme

22/07/2014 11:34

Serbia pretendonte se shpallja, sipas saj, e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, ishte në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.

Rastin e dërgoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), por kjo e fundit vendosi ndryshe nga ajo që kërkonin serbët.

Sot bëhen 4 vjet nga koha kur u mor ky vendim ndër më të rëndësishmit për shtetin e ri të Kosovës. 

Kryeministri Thaçi, në shënim të kësaj date të rëndësishme për shtetin e Kosovës, përmes profilit të tij në Facebook, ka falënderuar shtetet dhe juristët ndërkombëtarë që u përfshinë në vendimin e GJND-së, i cili 4 vite më parë legjitimoi shpalljen e pavarësisë së datës 17 shkurt 2008. 

“Sot u bënë 4 vjet prej përfundimit të procesit historik në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me të cilën u konfirmua legaliteti dhe legjitimiteti i Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës”.

“Falënderojmë me dhjetëra shtete dhe qindra juristë, ekspertë dhe të tjerë nga mbarë bota që u përfshinë në këtë proces shumë të rëndësishëm për legjitimitetin e shtetësisë sonë. Tani Kosova u njoh nga 107 shtete dhe vazhdon rrugëtimin e vet të pamohueshëm drejt anëtarësimit në familjen e shteteve Euro-Atlantike. HTH”.