Kryeministri: Kosova është vend i përshtatshëm për investime në sektorin e bujqësisë

“Investimet e huaja do të gjejnë një partner të rëndësishëm në Kosovë, e që është Qeveria e Kosovës, dhe e cila do të jetë përkrahëse e fuqishme e tyre”, kështu tha Kryeministri Ramush Haradinaj, pasi priti në takim përfaqësuesit e Growponics Kosova, kompani kosovare me partnerë nga Izraeli dhe Anglia, nga të cilët u njoftua për investimin në projektin e serrave hidroponike për kultivimin e perimeve.

Lajme

07/02/2019 10:23

Me këtë rast është bërë e ditur se sektori në të cilin Growponics Kosova do të investojë është sektori  i Bujqësisë dhe Industrisë së Kosovës, në rajonin e Gjakovës, në vlerë prej mbi 10 milionë euro në mbi 5 hektarë tokë.

 Kryeministri Haradinaj tha se Ligji për Investime Strategjike, tashmë po tregon rezultatet e para, duke sjellë investime të huaja direkte në vend, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës.

 “Pas investitorit të parë strategjik që e ka shpallur Qeveria e vendit, tani po shohim çdo herë e më shumë interesim për të investuar në Kosovë. Ne kemi krijuar klimë të përshtatshme administrative dhe vendi ofron resurse të shumta natyrore dhe njerëzore, të cilat mund t’i kthejmë dhe do të angazhohemi që t’i kthejmë në parametra ekonomik”, tha kryeministri Haradinaj duke përmendur faktin që vetëm ky investim në bujqësi do të rrisë numrin e të punësuarve deri në 130 dhe do të rrisë eksportin e produkteve tona në vendet evropiane.

 Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtij investitori potencial, njoftuan për fazat që do të realizohet ky investim, duke theksuar po ashtu se shitja do të realizohet në tregjet evropiane, njëkohësisht duke e zhvilluar dhe zgjeruar kooperimin me fermerët lokalë dhe regjional.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini. /Lajmi.net/