Kryeministri japonez Shinzo Abe nuk shkon në Pearl Harbor

Kryeministri japonez Shinzo Abe ka bërë të ditur se nuk ka në plan të zhvillojë një vizitë në Pearl Harbor, për të shkëmbyer vizitën e ardhshme të presidentit amerikan Barack Obama në Hiroshimë.

Bota

25/05/2016 23:30

Deklaratën e tij Abe e ka bërë nga lokaliteti Ise Shima, ku po zhvillohet samiti i vendeve të grupimit G7.

Kryeministri japonez ka sqaruar se e ka kujtuar 70-vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore vitin e kaluar, me një udhëtim në Shtetet e Bashkuara, një fjalim në Kongres dhe një vizitë në Memorialin e Uashingtonit, ku ka vënë edhe një kurorë me lule.

Obama ka në plan një vizitë në Hiroshimë ditën e premte, që do të jetë e para e një presidenti amerikan në fuqi në vendin e goditur nga bomba atomike.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Obama nuk do të kërkojë falje për vendimin e Shteteve të Bashkuara për të hedhur bombën, por do të bëjë një reflektim mbi kostot e luftës dhe vizionin e tij për një botë pa armë bërthamore.

Sulmi ndaj bazës amerikane në Pearl Harbor, në Hauai, nga ana e japonezëve në dhjetor të vitit 1941 solli dhe përfshirjen e amerikanëve në konflikt.