Kryeministri i vetëshpallur separatist në Ukrainë jep dorëheqje

Granatimi i qytetit të Horlivkës, që është nën kontrollin e rebelëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, ka rezultuar me pesë persona të vrarë, njoftuan burimet e separatistëve në lindje të Ukrainës. 

Bota

07/08/2014 20:02

Zyrtarët e qytetit kanë njoftuar se 10 persona të tjerë janë plagosur, pasi një granatë ka shpërthyer në afërsi të një autobusi, gjatë ditës së enjte, raporton REL.

Pjesë të këtij qyteti kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ujë shkaku i dëmtimit të infrastrukturës.

Horlivka është rreth 35 km në veri të Donjeckut, një nga dy zonat e mëdha që mbahet nën kontroll nga rebelët e përkrahur nga Rusia, në lindje të Ukrainës.

Ndërkohë, i vetëshpalluri kryeministër i Republikës Popullore të Donjeckut ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje.

Alexander Borodai, nënshtetas rus me prejardhje nga Moska, gjatë një konference me gazetarë në Donjeck ka thënë se ai po tërhiqet për tu zëvendësuar nga komandanti Oleksandr Zakhaçenko, banor i rajonit ku po luftohet.