Kryeministri i ri grek: Gabim që i dhamë Shqipërisë statusin dhe NATO-n

Më 13 janar të këtij viti, kryeministri i ri i Greqisë Aleksis Cipras ka folur për paktin detar mes Greqisë dhe Shqipërisë, duke kritikuar Athinën se hoqi dorë shumë shpejt dhe nuk i vuri disa kushte Shqipërisë si anëtarësimi në NATO dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Lajme

29/01/2015 18:07

Menjëherë sapo mori pushtetin,kjo çështje është përfshirë menjëherë në agjendën e qeverisë greke për marrëdhëniet me fqinjët. 

Rreth dy ditë më parë, këshilltari për Marrëdhëniet me Jashtë i kryeministrit të Greqisë, tha në një intervistë për “Top Channel” se Greqia do të kërkojë negociata me Shqipërinë për të gjetur një zgjidhje për paktin detar.

“Ajo që dua të them tani është që Syriza ka programin e saj për politikën e jashtme, por marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë është konsideruar si një marrëveshje e përfunduar, më pas Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi atë. Tani ne duhet të flasim për këtë çështje dhe të gjejmë një zgjidhje”, u shpreh Giorgos Tsipras.

Qëndrimi i kryeministrit Cipras 

Në pikun e fushatës së tij elektorale, Alkesis Cipras tha më 13 janar se është e rëndësishme që dy vendet ta zgjidhin. 

I ftuar në një emision të gazetarit Niko Papahaxinikolao në datën 13 janar 2015, Cipras foli për marrëdhëniet dhe kur erdhi fjala tek Shqipëria, ai tha se ka mbetur i habitur se si Rama dhe Papandreu, miq me njëri- tjetrin, lejuan zhbërjen e kësaj Marrëveshje për Ujërat Detare mes dy vendeve.

“Tashmë duhet të kishte një marrëveshje për zonat ekonomike detare me Egjiptin, me Libinë dhe me Shqipërinë, me të cilën kishte një marrëveshje mes dy vendeve. Por kjo marrëveshje nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo erdhi për fat të keq nga socialistët, që nuk e priste njeri në fakt, pasi në atë kohë në Greqi ishte në qeverisje PASOK-u dhe mund të pritej që marrëdhëniet e mira mes Papandreut dhe Ramës ta ndalonin zhbërjen e kësaj marrëveshje”, shprehet Cipras.

Ai tha më tej se Greqia po vuan pasojat e gabimeve të saj, ndërsa është shprehur se kjo marrëveshje duhet vendosur përmes dialogut dhe në bazë të së drejtës ndërkombëtare, por ka theksuar që duhen vendosur edhe “vijat e kuqe”.

“Por ama, edhe ne si shtet nuk bëmë ato që duhet të bënim për të ndaluar rrëzimin e kësaj marrëveshje, sepse në të njëjtën kohë që pranojmë vendimin e tyre për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese këtë marrëveshje të cilën e kishim firmosur bashkërisht, i dhamë dritën jeshile Shqipërisë për çështje që kishin të bënin me ftesën për në NATO apo Bashkimin Europian. Sigurisht që ishte edhe faji jonë që këtë marrëveshje nuk e sollëm në Kuvend për ratifikim. Pra, kemi bërë gabime në të shkuarën. Sot këto gabime po i paguajmë. Në çdo rast dua t’ju them se këto çështje duhet të zgjidhen me seriozitet dhe duke u mbështetur në ligjet e së drejtës ndërkombëtare. Duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe bashkëpunimit, por që të mundet dikush të jetë i saktë duhet që të vendosë vija të kuqe”, deklaroi Cipras.

Kujtojmë që marrëveshja mes qeverisë “Berisha” dhe asaj greke u kontestua fort nga Partia Socialiste, e cila e dërgoi atë në Gjykatën Kushtetuese, e cila më pas e shpalli të pavlefshëm.