Kryeministri i Malit të Zi reagon pas ratifikimit të demarkacionit

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka mirëpritur ratifikimin e djeshëm të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës. Ai ka përgëzuar deputetët që me votimin pro, plotësuan një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave.

Lajme

22/03/2018 19:50

Sipas Markoviqit, ratifikimi i demarkacionit dëshmon se në Ballkan mund të zgjidhen kontestet edhe pa ndërmjetësimin e të tjerëve.

“Ne përgëzojmë shumicën parlamentare të Kosovës. Ky është një konfirmim i aftësive tona për të zgjidhur vetë problemet e rëndësishme rajonale, pa kërkuar ndërmjetësim. Ky është një lajm i mirë për marrëdhëniet tona bilaterale, për Kosovën dhe për perspektiven evropiane të rajonit”, thuhet në deklaratën e kryeministrit malazias.

Markoviq shprehet i kënaqur që Kosova ka përmbushur një nga kriteret që ka pasur për liberalizimin e vizave.

“Duke e ratifikuar marrëveshjen e demarkimit të kufirit, Kosova përmbush një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave dhe ne shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti, në mënyrë që të përfitojnë qytetarët e Kosovës”, shkruan express.

Po ashtu ai thotë se Qeveria e tij është e kënaqur që ka ndikuar në zgjidhjen e problemit të demarkacionit.

“Ne jemi të kënaqur që Qeveria e Malit të Zi ka kontribuuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke promovuar kështu bashkëpunimin e mirë mes Kosovës dhe Malit të Zi, në frymën e vlerave evropiane dhe strategjisë së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, gjithashtu edhe fqinjësinë e mirë që ka paraqitur Mali i Zi, si vend anëtar i NATO’s”.