Kryeministri Haradinaj: Nuk ka ditë më të mirë për t’i thënë Mujës, për t’i thënë Jasharajve dhe të gjithë brezave prehuni të qetë

Kryeministri Haradinaj pas formimit të Ushtrisë së Kosovës ka thënë se kjo është dita e duhur për t'i thënë dëshmorëve të kombit të prehen të qetë.

Lajme

14/12/2018 20:21

“Sot jemi bashkuar ta nderojmë një ndër dhimbjet më të mëdha të luftës tonë. Pas 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, pas rënies së Familjes Jashari, ku humbja dhe dhimbja ishte aq e madhe saqë bëri kthesën ndër shqiptarë, kjo ishte humbja më e madhe që i ndodhi UÇK-së gjatë gjithë luftës pastaj. Ishte humbja e dytë me radhë ndër më të mëdhatë me humbje të njerëzve edhe duke pasur parasysh rolin e komandantit Mujë Krasniqi”, kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të rënies së Heroit Mujë Krasniqi dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij.

Duke vlerësuar lartë figurën e heroit Mujë Krasniqi, kryeministri Haradinaj, tha se Muja ishte prej luftëtarëve të hershëm, pra ishte prej para ’98-tës, por njëkohësisht Muja nuk ishte luftëtarë vetëm i betejës, por kudo që ishte Muja njerëzit bëheshin luftëtarë, kudo që shkonte ai, aty nisej lufta, me këdo që ishte ai kthehej në luftëtarë të zotin.

“Të gjithë bashkëluftëtarët e gjallë që janë këtu e din pse po e them këtë. Ka qenë shumë vështirë me qenë ushtarë i tij, për shkak se ai ka qenë aq luftëtarë, sa që ka qenë shumë vështirë me i qëndru afër”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se Muja ishte një djalë i vendosur, i dhënë për luftë dhe liri, sa që është e pamundur të shpjegohet me fjalë.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se edhe pas kësaj humbje kaq të madhe, më të madhen pas Jasharajve, nuk është zbehur besimi në luftë e në liri, nuk u zbeh besimi dhe bindja se jemi në të drejtën tonë dhe po shkojmë nga liria, dhe sot u bashkuan datat e sotmja, me datën e ’98-ës, andaj sot gëzohen edhe varret edhe të gjallët dhe nuk ka ditë më të mirë për t’i thënë Mujës, për t’i thënë Jasharajve dhe të gjithë brezave prehuni të qetë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në emër të shoqatave të dala nga lufta foli kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK, Xhavit Jashari.

Të pranishëm në këtë akademi përkujtimore, që u mbajt nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj, ishin deputetë, ministra, kryetar të Komunave, bashkëluftëtarë të Heroit Mujë Krasniqi, përfaqësues të Shoqatave të Dala nga Lufta e UÇK-së, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues të tjerë institucionalë. /Lajmi.net/