Kryeministrat u zotuan sot për heqjen e taksave, romingut dhe unifikimin e doganave

Sot është mbajtur mbledhja e pestë me radhë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Pejë, në të cilën u arritën 9 marrëveshje.

Lajme

26/11/2018 23:31

Të dyja shtetet, Kosova dhe Shqipëria, janë pajtuar që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e romingut në kuadër të telekomunikimit si dhe të heqin tarifat doganore.

Në këtë mbledhje të dy kryeministrat u zotuan për zbatimin e këtyre marrëveshjeve, të cilët deklaruan se bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve është më se i domosdoshëm.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas nënshkrimit të marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se të dyja shtetet janë në rrugën e duhur drejt unifikimi të tregut ekonomik, shkruan lajmi.net.

“Mund t’ju them se jemi në rrugë të mirë drejt një tregu unifikues ekonomik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Haradinaj.

Derisa shtoi se nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve e sheh si fillim të konkretizimit të prioriteteve të kahershme nga të dyja palët.

“Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjikë. Shqipëria çdo herë ka mund të llogaritë në Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogaritë në Kosovën, por edhe Kosova çdo herë ka llogaritë në Shqipërinë dhe kjo është dëshmuar edhe në vitin 1999, në ditët më të vështira të jetës sonë si komb”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke folur për vendosjen e taksës nga Qeveria e Kosovës për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, tha se ky ishte reagim ndaj padrejtësive që i bëhen Kosovës, shkruan lajmi.net.

Rama po ashtu tha se Shqipëria mbështet vendosjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, derisa shtoi se një kohe të shkurtë, Kosova dhe Shqipëria do të kenë tarifa zero si dhe unifikim të plotë të doganave.

“Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, transit më 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapat e tjerë brenda gjashtëmujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd apo Bruksel është i mirëpritur të vijë, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, ka folur edhe për temën e korrigjimit të kufijve. Ai edhe një herë ka treguar mbështetjen e tij për presidentin Hashim Thaçi, si një prej atyre që ka mbështetur zëshëm idenë e korrigjimit, duke thënë se kush është kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, “është tradhtar dhe gomar”.

“Sa i përket korrigjimit, Hashim Thaçi është president, është komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe kush ngreh dorën dhe thotë se Hashim Thaçi është tradhtar, ai është gomar”, ka thënë tutje Rama

Ndërsa nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se as një centimetër nga territori i Kosova nuk do të preket, duke shtuar se kjo është tokë e shqiptarëve, siç thotë ai, e larë me gjak.

“Kush mendon se merr tokë prej Kosovës e ka gabim, qoftë ai i Kosovës, i Shqipërisë apo kush do qoftë. Asnjë metër e Kosovës nuk merret më, a ke Ramushi, a ke Edi, a ke Hashimi a kushdo tjetër gabon rëndë. Kjo është tokë e shqiptarëve e larë me gjak. 17 shkurti nuk preket më dhe këtë duhet ta dinë të gjithë”, ka deklaruar tutje Haradinaj.

Marrëveshjet, protokollet dhe memorandumet e nënshkruara ndërmjet ministrive përkatëse të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, janë si më poshtë:

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës”.

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të patentë shoferëve”.

Protokolli për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë” në mes të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë.

Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja dhe marrëdhëniet me institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Marrëveshja për “Bashkëpunim në fushën e Rinisë.”

Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për Bashkëpunim në fushën e shëndetësisë.

Protokolli ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, për njohjen e bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fito sanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe tranzitit midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës

Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për pronësinë industriale të RKS dhe Drejtorisë së përgjithshme të pronësisë industriale të Republikës së Shqipërisë.

Kujtojmë, ky është takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri. /Lajmi.net/