Kryekuvendari kundër tribunalit, optimist për NISMËN

Jakup Krasniqi është kundër themelimit të një tribunali për krime lufte në Kosovë. Ai ka thënë se LDK-ja do të duhej të insistonte që në ligjin i veteranëve të hyjë edhe FARK-u. Partia NISMA për Kosovën, sipas tij, do të del e treta në zgjedhjet e ardhshme.

Lajme

01/04/2014 18:37

Themelimi i mundshëm i një tribunali i cili do të gjykonte krimet e supozuara të kryera nga luftëtarët e UÇK-së, do të ishte një padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, pasi kjo e fundit ishte vetë viktimë.

Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi në emisionin “Rubikon të KTV-së”.

Krasniqi ka përsëritur se nuk njeh si organizëm luftarak FARK-un për çka LDK do që të njihet statusi i luftëtarëve të tij.

“Në Kosovë për mua nuk ka pas organizma të tjerë përpos shtabit të përgjithshëm. Unë nuk di që ka pasur, le të tregojnë ata le të ankohen ata në Kuvend dhe le t’bëjnë ç’të donë”.

Krasniqi përsërit se vazhdon ta mbaj postin e kryetarit të Kuvendit, për të vetmen arsye të mos shkaktojë krizë institucionale, ndërsa NISMA tij e re, thotë ai, do të dalë partia e tretë pas zgjedhjeve në vend.

“Në këto parti politike në Kosovë, edhe partia e parë edhe e dyta, edhe e treta, janë vende mjaft të përshtatshme sidomos për një subjekt të ri politik”.

“Natyrisht synojmë të jemi të parët dhe shtrirja jonë tregon që nuk mund të jemi më poshtë se pozita e tretë politike në Kosovë”.

Ndryshe sa i përket kërkesës së AAK-së për shkarkimin e Qeverisë, Krasniqi ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte lidhja e një marrëveshje mes partive për datën e zgjedhjeve.