Kryeimami i BIK-ut thirret dëshmitar në gjykimin për terrorizëm

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) Sabri Bajgora, pritet të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit, në rastin e të akuzuarve për vepra që ndërlidhen me terrorizmin ndaj Fuad Ramiqit dhe imamëve Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga dhe Mazllam Mazllami.

Lajme

14/11/2017 17:38

Propozimin që Bajgora të thirret si dëshmitar për seancën e ardhshme e ka bërë të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, avokati Durim Osmani, mbrojtësi i të akuzuarit Enes Goga, të cilin propozim edhe e ka miratuar trupi gjykues.

Qëllimi i ftesës që Bajgora të dëshmoi në këtë proces gjyqësor, sipas avokatit Osmani, ka të bëjë edhe me sqarimin e përgjigjes që BIK-u i ka kthyer Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ku ishte pyetur nga kjo e fundit në lidhje me një ligjëratë të imamit Enes Goga.

Ndërkohë, prokurori special Haki Gecaj, gjithashtu kërkoi që kjo përgjigje të lexohet dhe të administrohet si provë, por që është kundërshtuar nga avokati Durim Osmani, mbrojtës i Enes Gogës, duke thënë se kjo provë është nxjerr në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria në një pyetjeje të parashtruar Bashkësisë Islame të Kosovës më 27 qershor 2016, ka kërkuar nga BIK-u të interpretojë një pjesë të ligjëratës së imamit Enes Goga, i cili kishte folur rreth çlirimit të Romës.

“A u çlirua Roma, jo nuk u çliru Roma. Jo kjo Roma- qytet i vogël në Itali, por Roma në fjalorin e Pejgamberit është krejt Perëndimi ka me çliruar prej çkahit, prej kufrit, prej kryqit, ka me hi kush, Bajraki La Ilahi Il Allahu Muhammed De Resulullah, ku je ti dhe unë, ku jena na, a jemi tu punu me evladët tonë…”, ishte pjesa e ligjëratës që prokuroria kishte kërkuar interpretim nga BIK-u.

Kjo e fundit, i ishte përgjigjur prokurorisë, më 4 korrik 2016, rreth asaj nëse një predikim i tillë është në përputhje me fenë islame.

“Muhamedi (Paqa dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të ) në një thënie të tij e përmend çlirimin e Kostandinopojës dhe të Romës dhe atë duke iu përgjigjur një shoku të tij që e kishte pyetur dhe atë si dy ngjarje historike të cilat do të ndodhin. Qëllimi i kësaj thënie të Muhamedit është se feja islame do të depërtoj dhe përhapet edhe në këto vende po ai nuk ka përmendur as gjakderdhje, e as kryq, as shpatë (dhunë) e të ngjashme. Këto komente janë personale të Enes Gogës të cilat fetarisht nuk qëndrojnë, mbase mund të jenë mendim i ndonjë autori, por gjithmonë mbetet vetëm mendime individuale të cilat jo detyrimisht duhet marrë”, thuhej ndër të tjerash në përgjigjen që BIK-u i ka kthyer prokurorisë.

Në këtë përgjigje, gjithashtu theksohet se metodologjia islame e ligjërimit bëhet me urtësi dhe këshilla të mira. “E jo duke mbjellë urrejtje e përçarje në mes të njerëzve, siç ka vepruar Enes Goga në ligjëratën e tij, të cilën e keni cituar në shkresën tuaj”, thuhej tutje në këtë përgjigje.

Ndërsa, në fillim të kësaj seance, avokati Bajram Tmava, mbrojtësi i të akuzuarit Mazllam Mazllami, kërkoi nga trupi gjykues që të konsiderohen të gjitha provat materiale të propozuara në aktakuzë si të lexuara.

Tmava ka kundërshtuar administrimin si provë të video incizimit të ligjëratës së Mazllam Mazllamit. Ai tha se e kundërshton këtë provë vetëm në pjesën ku është komenti “Nxitë urrejtje ndaj avokatit të popullit”.

Ndërsa, prokurori special Haki Gecaj, propozoi që vetëm provat që kanë të bëjnë me ligjshmërinë e procedurës hetimore të konsiderohen si të lexuara.

Avokatët mbrojtës, u pajtuan me këtë propozim të prokurorit dhe më pas janë administruar provat të cilat janë në aktakuzë, procesverbalet për bastisjen e shtëpive të të akuzuarve, leximi i transkriptove në mes Bedri Robajt dhe Kujtim Bytyqit, si dhe administrimi i video incizimit të ligjëratës së Mazllam Mazllamit.

Seanca e radhës, është caktuar më 13 dhjetor 2017, nga ora 9:00.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj akuzohet se që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”. I njëjti akuzohet për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”.

Idriz Bilibani, akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, aktakuza pretendon se Enes Goga në pozitën e imamit në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në këtë qytet, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në youtube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Mazllam Mazllami, akuzohet se si imam i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, gjatë predikimit të tij dhe në paraqitje publike ka nxitur dhe përkrahur publikisht urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI.

Fuad Ramiqi, akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.