Kryeimami Bajgora: Komentimet e imamit Enes Goga ishin personale

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) tha sot në gjykatë se i akuzuari Enes Goga, imam në Pejë, ka bërë komente personale gjatë ligjëratave të tij fetare, të cilat për prokurorinë paraqesin thirrje te të rinjtë për pjesëmarrje në luftëra të huaja.

Lajme

13/12/2017 12:40

Bajgora po dëshmon në gjykimin ku të akuzuar janë Fuad Ramiqi dhe katër imamë tjerë Enes Goga, Idriz Bilibani, Mazllam Mazllami dhe Bedri Robaj.

Sabri Bajgora tha se ai me komisionin që e kanë shqyrtuar shkresën nga Prokuroria Speciale kanë konstatuar se Enes Goga gjatë ligjëratës ka dhënë komente të tij personale të cilat nuk i përmend Profeti Muhamed në Kuran.

“Si komision kemi konstatuar se komentimet e Z. Enes Goga rreth kryqit apo bajrakut që përmendet janë komente të tij personale”, tha Bajgora.

“Normalisht edhe në shkencën e komentimit të Kuranit dhe të Hadithit lejohen komente nga studiues të këtyre sferave”, shtoi ai.

Më pas avokati Durim Osmani pasi që i dha dëshmitarit në shikim shkresën të cilën ia kishte drejtuar Prokuroria Speciale BIK-ut kërkoi nga dëshmitari që të dinte se në cilat pjesë Enes Goga kishte përmendur fjalët shpatë, dhunë apo gjak, njofton Kallxo.com.

“Ku mund t’i gjej fjalët shpatë, dhunë, gjak”, e pyeti avokati Osmani, dëshmitarin.

“Komisioni që ka punuar në këtë përgjigje duke pasur parasysh etikën që duhet ta ketë një ligjërues fetar ka ardhur deri në një konstatim i tillë. E përsëris edhe një herë se komisioni në fjalë nuk ia ngarkon Z. Goga as fjalët gjakderdhje e as shpatë, këto janë komente të komisionit lidhur me keqkuptimet që kanë ngjarë”, u përgjigj kryeimami i BIK-ut.

“Artikulimin që kemi bërë për Enes Gogën ka qenë lidhur me ligjëratën e tij për kryqin që ka qenë mendim i tij personal”, tha Bajgora.

Në pyetjet e fundit nga avokati i Enes Gogës, Kryeimami i BIK-ut tha se ata nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për imamin pasi që ata nuk kanë marrë asnjë vërejtje nga këshilli i BIK-ut në Pejë.

“Pasi nuk kemi marrë asnjë vërejtje nga këshilli i Pejës nuk kemi pasur arsye të intervenojmë pasi që kjo në thelb do të përbente një ndërhyrje të dhunshme në punët e këshillit”, tha për fund Bajgora.

Gjatë seancës së sotme, i akuzuari Fuad Ramiqi po mbrohet vetë, pasi që avokati i tij Skender Musa nuk është i pranishëm në gjykatë.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë, në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam, gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur xhihadin-shehidllëkun në Siri.

“Xhamia” te “Termokosi” ka vepruar jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndërsa, Idriz Bilibani akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit, në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami – OJQ-në  “El Bejan” dhe paraqitjet e tjera publike të incizuara në video, ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, Enes Goga, në pozitën e hoxhës në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në Pejë, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në YouTube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Fuad Ramiqi akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit, në televizione, gazeta dhe rrjete sociale, ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të akuzuarit Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste, kurse të akuzuarit tjerë Enes Goga e Mazllam Mazllami akuzohen se kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.