Kroacia sot voton për presidentin e ri, bora pengesë

Për arsye të motit shumë të keq, disa vendvotime në Kroaci janë hapur me vonesë, kurse nga katër kandidatë të mundshëm, presidenti aktual, Ivo Josipoviq, dhe Kollinda Grabar Kitaroviq, ish-ministre dhe diplomate, janë favoritë për të fituar. 

Lajme

28/12/2014 10:28

Kroacia mbrëmë ka qenë e mbërthyer nga moti i keq me stuhi bore. Sipas informative të para, kjo ka bërë që të ketë vonesa në hapjen e vendvotimeve në disa pjesë të kësaj republike dhe mund të ndikojë edhe në daljen e numrit më të madh të zgjedhësve.

Në garën për mandatin e ri pesëvjeçar të presidentit janë presidenti aktual, Ivo Josipoviq, jurist dhe muzicient, Kollinda Grabar Kitaroviq, ish-ministre dhe diplomate, mjeku Millan Kujunxhiq, si dhe kandidati më i ri në historinë e zgjedhjeve presidenciale kroate, Ivan Sinçiq.

Sipas të gjitha sondazheve të deritashme, kandidat kryesor për të fituar edhe një mandat pesëvjeçar është Ivo Josipoviq, kurse atij mund t’i afrohet Kollinda Grabar Kitaroviq, ish-ministre kroate për Integrime, e së fundmi edhe ambasadore e Kroacisë në NATO.

Vendvotimet duhet të mbyllen deri në orën 19, kurse vetëm një orë më pas do të fillojnë të rrjedhin  informatat e para të rezultateve të parakohshme, mirëpo Komisioni zgjedhor do të kumtojë rezultatet paraprake në orën 22.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton mbi 50 për qind të votave në raundin e parë, dy kandidatët me numrin më të madh të votave do të përballen në balotazh pas dy javësh, përkatësisht më 11 janar 2015.