KROACIA ËSHTË NË GJYSMËFINALE TË KUPËS SË BOTËS

Kombëtarja e Kroacisë është gjysmëfinalistja e katërt e Kupës së Botës.

Sport

07/07/2018 22:50

Kroatët kanë arritur që në ‘Fisht Stadium’ në Sochi, të mposhtin nikoqirët rusë pas një ndeshje dramatike, ku fituesi u përcaktua vetëm pas ekzekutimit të penalltive.

Koha e rregullt e ndeshjes përfundoi 1:1, në vazhdimet dy herë nga 15 minuta, të dy kombëtaret realizuan nga njëherë, dhe në penallti ishte skuadra e Dalicit më e mirë, që fitojë me rezultat 4:3

Pjesa e parë e ndeshjes u dominua në tërësi nga kroatët.

Por të parët golin e gjetën rusët, që në minutën e 31’ befasuan me një gol të bukur të Denis Cheryshev, që shënoi nga largësia.

Festa e rusëve nuk zgjati më shumë se tetë minuta, pasi Mario Mandzukic me një depërtim në zonë, gjeti Kramaricin që barazoi në 1:1 në minutën e 39’ të ndeshjes.

Me rezultat 1:1 skuadrat shkuan në pushimin e pjesës së parë.

Pjesa e dytë e kësaj ndeshje nuk solli asnjë gol, përveç një rasti të mirë për Kroacinë, kur Ivan Perisic qëlloi shtyllën.

Rezultati 1:1 dërgoi të dy skuadrat në vazhdimet dy herë nga 15 minuta.

Vazhdimet sollën edhe dy gola, të shënuara nga të dy kombëtaret.

Ishte Kroacia që fillimisht në minutën e 101’ kaloi për herë të parë në epërsi kur shënoi mbrojtësi Vida.

Rusia në pjesën e dytë të vazhdimeve, saktësisht në minutën e 115’ barazoi në 2:2, me golin e shënuar nga Fernandes, dhe fituesi i kësaj përballje u desh të përcaktohej pas ekzekutimit të penalltive.

Pas ekzekutimit të penalltive, Kroacia arriti të fitonte me rezultat 4:3, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, ku e pret Anglia./Lajmi.net/