Kroaci, kallëzime penale kundër 6 personave për bombardimin e “Banski dvor”

Shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe ndihmës drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ante Gudelj, konfirmoi se kallëzimet penale janë ngritur kundër pesë shtetasve të Serbisë dhe një personi me shtetësi kroate

Lajme

13/12/2017 14:54

Drejtoria e Policisë kroate paraqiti detajet e planifikimit të sulmit me raketa ndaj Pallatit “Banski dvor” në Zagreb 26 vjet më parë dhe njoftoi ngritjen e kallëzimeve penale kundër gjashtë personave që morën pjesë në planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin e sulmit, raporton Anadolu Agency (AA).

Shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe ndihmës drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ante Gudelj, konfirmoi se kallëzimet penale janë ngritur kundër pesë shtetasve të Serbisë dhe një personi me shtetësi kroate.

Asnjë nga të dyshuarit nuk ndodhet në territorin e Kroacisë, kurse policia ka informacione se shtetasi kroat aktualisht ndodhet në zonën e Republikës së Afrikës së Jugut, ku punon si pilot aktiv civil, ndërkohë që policia ka indikacione se pesë të tjerët ndodhen në Republikën e Serbisë, ose në pjesën e BeH-së, Republikën Sërpska.

Personat kundër të cilëve janë ngritur kallëzimet penale kishin dijeni se në atë moment në pallatin “Banski dvor” mbahej një seancë ku i pranishëm ishte edhe Presidenti Franjo Tugjman. “Qëllimi kryesor i bombardimit të “Banski Dvor” ishte destabilizimi i Republikës së Kroacisë”, tha Gudelj.

Hetimet janë udhëhequr për plot 26 vite sepse ishte vështirë për të “thyer murin e heshtjes që ishte krijuar përreth të pandehurve”, dhe se për këtë situatë ka kontribuar edhe bashkëpunimi i dobët ndërmjet hetuesisë kroate dhe serbe, tha Gudelj.

Kolonel Jadranko Karlushiç, kreu i departamentit të Krimit të Policisë Ushtarake raportoi se sulmi mbi Pallatin “Banski dvor” ishte planifikuar në Zemun në komandën e forcave ajrore të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), urdhri për sulmuar është lëshuar nga Lj.B. (78) gjeneral major, komandant i Korpusit të 5-të të APJ-së, i cili u transferua nga Zagrebi në Bihaç.

Planin e sulmit e kishte përpiluar S.J. (69), pjesëtar i komandës së Forcave Ajrore, shef i departamentit i cili ka zgjedhur pilotët, fondet dhe aeroplanët, apo pozicionin nga do të kryhet, ka përzgjedhur bombat dhe raketat, si dhe aeroplanët Galeb G4, të cilët ishin ngritur nga aeroporti Udbina. Urdhri iu dha shefit të shtabit 105 të regjimentit të bombardimeve Gj.M. (62) i cili urdhrin ua përcolli pilotëve të caktuar për kryerjen e sulmit rreth orës 15:00 me fluturim nga aeroporti Udbina.

Theksohet se sipas hetimeve është e sigurt se një person nga rrethi i afërt i Presidentit Tugjman ka informuar të pandehurit për detajet, vendin dhe kohën e takimit. Kundër të pandehurve është lëshuar urdhër arresti kombëtar.

Jurica Iliç, zëvendës Prokurori i Qarkut në Zagreb, tha se kundër të pandehurve zhvillohen hetime, dhe do të lëshohet urdhër për paraburgim e tyre.

Bombardimi i Pallatit “Banski dvor” ka ndodhur më 7 tetor të vitit 1991 me dy avion të tipit Galeb G4, gjatë të cilës një person humbi jetën, katër të tjerë u plagosën, kurse dëmet materiale arritën në 35 milion kuna (4,6 milion euro).