Krizat tërhoqën vëmendjen drejt Ballkanit

Njohësit e integrimeve europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare mendojnë se zinxhiri i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor që nga fillimi i vitit e ka shtyrë bllokun europian t`i kushtojë më shumë vëmendje rajonit.

Lajme

26/05/2017 10:11

Për disa prej tyre, takimi i organizuar të mërkurën nga shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është një sinjal i fortë se BE-ja po i kthen sytë nga Ballkani. Me këtë takim, liderëve rajonalë u tregohet se perspektiva e tyre e vetme është Bashkimi Europian dhe se reformat e thella ekonomike, politike dhe juridike, të cilat duhet t’i ndërmarrin në shtetet respektive, janë të vetmet mundësi për t’i orientuar vendet e tyre drejt qëllimit final, që është anëtarësimi.

Muajt e fundit është diskutuar në shumë qarqe diplomatike, por edhe brenda vetë institucioneve të Bashkimit Europian mbi nevojën e kthimit të vëmendjes tek Ballkani Perëndimor. Një nga arsyet që e kushtëzojnë një lëvizje të tillë është rreziku potencial i konfliktit, i paraprirë nga shtimi i retorikës nacionaliste, ashtu siç është nga ana tjetër edhe shqetësimi që ngjallin përpjekjet ruse për zgjerim të influencës në rajon. /tch/