Kriza në Ukrainë, një luftanije amerikane në Detin e Zi

Një luftanije amerikane është nisur drejt Detit të Zi. Lajmi është bërë i ditur nga Pentagoni, që shpjegon se vendimi është marrë për të siguruar aleatët e shqetësuar në Evropën Lindore, pas aneksimit të Krimesë nga Moska dhe pas trazirave në Donjeck

Bota

07/04/2014 22:58

Shtëpia e Bardhë paralajmëroi Rusinë të mos ndërhyjë në Ukrainën lindore, duke kërcënuar me sanksione të mëtejshme.

Zëdhënësi i saj, Jay Carney, këmbëngul se  ka prova të forta, që disa protestues pro-rusë, pjesëmarrës në mësymjen e ndërtesave qeveritare në disa pjesë të rajonit, janë të paguar. Nëse Moska ndërmerr veprime në lindjen e Ukrainës, atëherë do të gjendemi përballë një përshkallëzimi shumë serioz, deklaroi Carney.

I pari, që akuzoi Rusinë për mbështetjen e demonstratave separatiste në vend, ishte kryeministri i përkohshëm, Arseniy Yacenyuk, i cili i përshkroi demonstratat si pjesë të një plani për destabilizimin e situatës dhe për të lejuar trupat e “huaja” të kalojnë kufirin, në mënyrë që të pushtojnë territorin ukrainas.

Zyrtarët në Kiev pretendojnë se trupat e Moskës vazhdojnë të jenë të stacionuara pranë kufirit, në një distancë që nuk kalon 30 kilometrat.

Ministria e Jashtme ruse reagoi përmes një deklarate ndaj akuzave të Kievit. “Mjaft e keni kthyer kokën nga Rusia, duke e fajësuar atë për çdo telash, në të cilin kalon Ukraina sot”, thuhet në deklaratën, që vazhdon të përsërisë, nga ana tjetër, se Kievi duhet t’i transferojë më shumë pushtet rajoneve të ndryshme të tij. “Për të fituar një stabilitet afatgjatë, vendi duhet të transformohet në një shtet federal”, thuhet më tej në deklaratën e rusëve që e transmeton Top-Channel .

Bashkimi Evropian po jep shenjat e para të nervozizmit. Sipas presidentit çek, Milos Zeman, në rast se Rusia do të pushtonte Ukrainën Lindore, atëherë ajo do të kalonte “vijën e kuqe”. “Në një situate të tillë, unë do të angazhohesha jo vetëm për sanksione, mundësisht më të ashprat, por edhe për gatishmërinë ushtarake të Aleancës veri-atlantike, si dhe për ndërhyrjen e trupave të NATO-s në territorin ukrainas”, u shpreh politikani majtist çek.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen deklaroi se Krimea ka dëmtuar marrëdhëniet me Rusinë në aspektin afatgjatë. “Me aneksimin e gadishullit, Putin shkatërroi në masë të madhe besimin”, tha von der Leyen për gazetën “Bild”, megjithëse e hodhi poshtë si të pabazë frikën se një gjë e tillë mund të çojë në konflikt ushtarak me Rusinë.