Kriza Irakiane: Sulmet ajrore në Mosul, vrasin dhjetëra vetë

Së paku 30 persona janë vrarë nga një sulm me aeroplanë pa pilotë në qytetin verior të Irakut, Mosul.

Bota

06/08/2014 18:45

Burimet i kanë treguar BBC-së se cak i këtyre sulmeve ishte një burg i përdorur nga luftëtarë e Shtetit Islam (IS), një grup xhihadist që ka okupuar Mosulin nga qershori.

Disa nga të vrarët janë mbajtur peng nga militantët.

Televizioni shtetëror i Irakut ka raportuar se së paku 60 militantë janë vrarë, dhe rreth 300 të paraburgosur kanë marrë arratinë.

Forcat kurde, të njohura si Peshmerga, është raportuar se kanë granatuar pjesën lindore të Mosulit dhe një zonë veri-lindore të mërkurën.

Më parë, një zyrtar i lartë kurd paralajmëroi se 50.000 anëtarë pakicash fetare “Yazidi”  janë bllokuar në malet perëndimore dhe se do të përballen me vdekjen në qoftë se ata nuk shpëtohen së shpejti.

Yazidistët kishin ikur në male me pak ushqim e ujë, pasi që luftëtarët e njohur të Shtetit Islamik në Irak e Levant (ISIS) okupuan qytetin e Sinjarit në fundjavë.