Kriza energjetike, KEDS importon rrymë për 150-200 mijë euro në ditë

Prodhimi i energjisë elektrike në vend është zvogëluar dukshëm pas shpërthimit në një pjesë të termocentralit Kosova A dhe për momentin energji po prodhohet vetëm nga një njësi gjeneruese e termocentralit Kosova B. 

Lajme

04/07/2014 00:29

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjuka thotë se kriza energjetike është thelluar pas shpërthimit në Kosovën A. Por, ai shton se KEK-u ka dorëzuar planin për tejkalim të situatës, mirëpo në këtë drejtim kërkon ndihmë nga të gjithë. Gjukaj po ashtu paralajmëroi kthimin në funksion të njësisë A3 të termocentralit Kosova A.

“Nuk ka vend për panik, dhe besojmë që do ti adresojmë të gjitha këto çështje dhe të kemi një furnizim stabil për konsumatorët”, tha Gjuka për RTK, duke paralajmëruar se nëse kriza nuk trajtohet me kohë, zgjidhja e krizës do të marrë kohë.

Në mungesë të energjisë vendore, KEDS është duke importuar energji elektrike 150 deri 200 mijë euro në ditë, që mbulohet nga KEDS-i për të vazhduar furnizimin pa ndërprerje.

Guri Shkodra, zëdhënës në këtë kompani, thotë se me të hyrat momentale të KEDS-it,  nuk mund të mbulohet importi i energjisë elektrike dhe kostoja shtesë e importit të saj, gjë që nuk është paraparë nga ZRRE gjatë përcaktimit të tarifave. Sipas tij, momentalisht parashikohet devijim i lartë nga bilanci energjetik i paraparë që KEDS-in e qet në humbje të mëdha.

Dje, përfaqësues të qeverisë, të kompanive prodhuese e furnizuese të energjisë, rregullatorin e saj, si dhe institucionet financiare ndërkombëtare, ambasadat, janë takuar për të gjetur forma për tejkalim të kësaj situate. Sipas ministrit në detyrë, Fadil Ismajli, javën e ardhshme secili operator do të dorëzojë planin konkret lidhur me ndihmën që u duhet për tejkalimin e situatës, në mënyrë që gjatë dimrit të ketë furnizim të rregullt.

Ngritjen e çmimit prej 4.57 % nga 1 korriku, Ismajli nuk e quan plotësisht shtrenjtim të energjisë, por përshtatje të tarifave, derisa nuk e përjashton mundësinë që sërish të ketë ngritje të çmimit të tarifave, raporton RTK.

Drejtori për Kosovë i Bankës Botërore, Jan Peter Olters, ka theksuar se pavarësisht  situatës aktuale politike, është e domosdoshme që lidershipi të marrë vendimet e nevojshme për të riparuar dëmet e shkaktuara nga shpërthimi  në Kosova A, për të siguruar ofrimin e energjisë së mjaftueshme gjatë muajve të ardhshëm dhe gjatë dimrit.