Kritikohet Presidentja: Legjitimoi shkeljet kushtetuese

Presidentja e vendit dje vizitoi Komunën e Graçanicës, ku në institucionet publike të kësaj komune nuk shihej asgjëkundi flamuri shtetëror i Kosovës, por gjithandej valonte flamuri i Serbisë.

Lajme

13/08/2014 20:40

Përfaqësuesit e partive politike po e akuzojnë Presidenten se ka legalizuar shkeljen e Kushtetues dhe të ligjeve në fuqi që po bën kjo komunë, pasi që të gjitha institucionet publike të Republikës, në bazë të Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore, obligohen të përdorin flamurin shtetëror dhe simbolet e tjera.

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija ka thënë për KTV se Presidentja ka bërë gabim që ka vizituar një komunë ku nuk respektohet shteti i Kosovës.

“Mendoj që ka qenë gabim dhe nuk do të duhej të shkonte aty ku nuk respektohet shteti i Kosovës. Në anën tjetër, duhet ta kemi parasysh se as kryeqyteti (Prishtina) nuk është një shembull i mirë që tregon se po respektohet shteti i Kosovës apo simbolet e shtetit të kosovës. Mendoj se Presidentja ka bërë gabim”, tha Sahatqija.

Ndërkaq, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi vlerëson se Presidentja duhet të kërkojë që të gjithë qytetarët pa dallim etnie të respektojnë shtetin e Kosovës.

“Presidentja duhet të kërkojë që të zbatohen ligjet e shtetit në mënyrë që të mbajë edhe unitetin e popullit pavarësisht nga përbërja nacionale që ekziston në Kosovë dhe qytetarët kudo që jetojnë, duhet të jetojnë me institucionet e vendit dhe njëkohësisht insititucionet duhet të kujdesen për qytetarët”, tha ai.

Zgjim Hyseni, nga Vetëvendosje, tha se nuk e di se për çfarë integrimi fliste Presidentja dje, pasi që ai vë në dyshim nëse serbët e Kosovës po integrohen në jetën institucionale.

“Nëse ajo shkon atje ku nuk ka asnjë simbol shtetëror të Kosovës, por aty kemi simbole shtetërore të Serbisë, atëherë ajo duhet të na përgjigjet se për çfarë lloj integrimi po flet. A po flet për integrimin e serbëve qytetarë të Kosovës në jetën shoqërore dhe institucionale të Kosovës apo e ka fjalën për integrimin e Kosovës në Serbi”, u shpreh Hyseni për KTV.