Kritika ndaj Cameron për krizën në Calais

Ministri suedez i Drejtësisë dhe Emigracionit, Morgan Johansson, akuzon Kryeministrin britanik David Cameron se po e shfrytëzon politikisht krizën e emigrantëve në Calais.

Bota

02/08/2015 19:56

Ai tha Franca dhe Britania e Madhe nuk po marrin asnjë përgjegjësi për të pranuar më shumë azilkërkues. Mijëra emigrantë janë përpjekur të hyjnë në terminalin e Eurotunelit javën e kaluar, ndërsa nëntë refugjatë kanë humbur jetën prej muajit Qershor.

Gjatë intervistës për “Radio 4″ të BBC – së, Morgan Johansson kritikoi Cameron që përdor fjalën “të paligjshëm” për azilkërkuesit, përpara se ata t‘i nënshtrohen procesit të azilit, duke nënvizuar se, nuk bëjnë gjë tjetër veçse kërkojnë një të drejtë njerëzore themelore.

Suedia ka lejuar hyrjen e të gjithë emigrantëve nga Siria dhe vitin e kaluar pranoi 30 mije azilkërkues, krahasuar me 10 mijë që pranoi Britania e Madhe. Ministri suedez i Drejtësisë dhe Emigracionit, Morgan Johansson, i bëri thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të presin më shumë emigrantë.

Në një editorial në gazetën “Sunday Telegraph”, me titull “Emigrantët mendojnë se rrugët tona janë shtruar me ar”, Sekretarja e Brendshme britanike, Theresa May dhe homologu francez, Bernard Cazeneuve u kërkuan vendeve të tjera të BE -së të japin një ndihmë më të madhe për të adresuar shkaqet kryesore të krizës botërore të emigracionit.

Siç raporton BBC, Ministri i Emigracionit, James Brokenshire, tha se do të hiqet mbështetja financiare për mbi 10 mijë azilkërkuesit, që jetojnë në Britaninë e Madhe bashkë me familjet e tyre.

Por Këshilli për Refugjatët e cilësoi ndërprerjen e ndihmës financiare për familjet e azilkërkuesve, moralisht të dënueshme, sepse shumë prej këtyre familjeve, mund të persekutohen nëse kthehen në vendet e origjinës. /Tv klan