Kritika e mendjes normale

Shtetasit e Kosovës tutje besojnë që këndejpari mund të jetohet mirë, dhe që normaliteti është synim i gjithë shoqërisë, dhe detyrë e politikanëve të Kosovës.

Opinion

25/11/2015 16:30

Çka është kjo që po i ndodhë politikës kosovare, këtij vendi, në fakt? Çka po bëhet me ne, kështu? Kush jemi ne? Ku jetojmë kështu?

A ka definicion politik që mund ta përthekojë gjendjen e dy muajve të fundit në Kosovë?

A jemi dëshmitarë të përpjekjeve për ridefinimin e demokracisë te ne? Të parlamentarizmit? Të idesë se çka është Sundimi i Ligjit? Çka është Kushtetuta? Çka është rendi? Çka është, tek e mbrama, normaliteti në një vend dhe në një shoqëri, si përcaktohet ai dhe si mbahet ai?

Dikush me të drejtë mund ta quaj mrekulli faktin që në Prishtinë, ta zëmë, ka semaforë, ka rend në trafik, vozitësit ndalen kur shfaqet ngjyra e kuqe dhe ecin tutje kur del jeshilja, apo kur në vendkalim paraqiten këmbësorët. Tatimet e të gjitha llojeve mblidhen. Dogana siguron, si rëndom, thuaja të gjithë buxhetin e Kosovës. Qytetarët marrin dokumente në Republikës së Kosovës. Kur kanë viza, udhëtojnë në Evropë. Ka ndeshje sportive, me atë publik të paktë por tutje të pasionuar, ka shfaqje teatrore, ka ekspozita nëpër galeri. Tymi i linjitit që bëhet rrymë elektrike del në Obiliq. Ata që sëmuren, mundohen të shërohen, në spitalet publike apo në klinikat private. Të shumtë janë ata që kërkojnë të gjejnë punë, kudo në këtë vend. Qytetarët bëhen gati ngadalë për festat e fundvitit.

Jetohet. Ashtu siç edhe është e rëndomtë, e zakonshme, normale pra. Provohet të bëhet jetë normale në këtë shoqëri, në kohën kur asgjë më normale nuk ka në politikën kosovare. Një situatë e këtillë pra, një shpërputhje e plotë midis të kuptuarit të jetës dhe të politikës, nga ana e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës, dhe në politikën e Kosovës, veçmas në atë që njeh Kuvendin si kryefjalën e ngecjes së politikës, nuk ka si mos të sjell telashe të shumta në Kosovë.

Duket që jetohet në dy universe paralele, që nuk kanë gjë të përbashkët njëri me tjetrin.

Ndërsa ky ‘universi’ i qytetarëve, apo i votuesve, ka bërë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, në qershorin e vitit të kaluar, për tu marrë me udhëheqjen e shtetit, me stabilizimin e këtij vendi, me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kjo është e pritshme, e logjikshme, normale. Por ja që ndër ne, vjeshta e sivjetme po paraqitet me ambicjen politike për përmbysjen e shumëllojtë të rendeve që janë krijuar këtupari që prej vitit 1999-të e këndej, duke nisë prej atij themelorit, rendit të kuptimit dhe të ushtrimit të demokracisë parlamentare në një vend që me emër dhe me mbiemër është pikërisht i këtij lloji.

Sikur të mos flisnim të gjithë të njejtën gjuhë, shqipen pra, shumëkush këtu dhe në Perëndim, me gjasë do të ngutej për ta definuar këtë situatë si një paralajmërim për një tjetër ‘konflikt etnik’ në këto anë të Evropës. Ndërsa, në realitet, kemi të bëjmë me një ‘konflikt logjik’. As më pak dhe as më shumë.

Për këtë shkak, zatën, vetë ne e kemi të vështirë të ofrojmë domethënien e duhur të gjitha ngjarjeve të cilat i përjetuam dhe i dëshmuam muajve të mbramë në këtë vend.

Kohëve të fundit, siç e dimë, po flitet shumë për mundësinë e krijimit të një Komisioni të veçantë, të bërë prej ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, që do ta trajtonte punën e bërë rreth Marrëveshjes së shenjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Me gjasë, nuk është aspak ide e keqe që të pajtohemi për krijimin e një Komisioni Special, i cili do të provonte ta përgatitte një Raport se çka po ndodhë me ne, si politikë, dhe çka mund të bëhet për të dalë prej këtij labirinthi.

Por do të jetë e pamundur, të mbërrijmë te ky dakordim. E vetmja mënyrë, mbase, për ta pasë këtë Komision në funksion, do të jetë poqëse të gjithë anëtarët e tij do të jenë ndërkombëtarë. Megjithëse, në fund, si qëndrojnë punët tani, edhe ky Raport, që do të mund të hartohej në ndërkohë, do të hudhej poshtë si i pavlefshëm.

Sidoqoftë, për fatin tonë të mirë, semaforat punojnë, veturat ecin, qytetarët paguajnë tatim, shtetasit e Kosovës tutje besojnë që këndejpari mund të jetohet mirë, dhe që normaliteti është synim i gjithë shoqërisë, dhe detyrë e atyre që janë në politikën e Kosovës.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)