KRISHTI U NGJALL, POR NUK FOLI SHQIP…

Ne shqiptarët jemi një popull tragjik, sepse me traditën tonë nuk kemi ditur kurrë se si të sillemi. Atë e kemi revizionuar disa herë dhe gjithmonë ngutemi që në piedestalet e historisë të vendosim ikonat e marrëzisë sonë kolektive.

Opinion

16/04/2015 16:03

Dy javët që sapo kaluam u shënjuan nga festa e Pashkës, ajo katolike në fillim dhe ajo ortodokse më pas. Megjithëse i respektojmë dhe i përfillim festat fetare, ne jemi ndër vendet e rralla që nuk përfshihemi prej tyre, në kuptimin që, në jetën tonë të përditshme, simbolikat tona, mitologjitë tona janë më së shumti pagane, profane ose cinike socialromantike e komuniste shpeshherë. Nëse Pashka është festa e madhe e ringjalljes dhe në kuptimin filozofik shënjon triumfin e jetës mbi vdekjen, te ne, këto mesazhe nuk arrijnë të dalin jashtë institucioneve kishtare, madje edhe aty, siç ishte rasti i Hirësisë së tij, Janullatos, mesazhi, në vend që të përcjellë dëshminë e sakrificës së Zotit, ngatërrohet me mesazhe ideologjike, etnocentriste e nacionaliste.

***
Mjaftoi një shkrim i Ben Blushit për greqishten që përdori Janullatosi natën e Pashkës ortodokse që opinioni të rimerrte edhe njëherë temën nacionalromantike të identitetit kombëtar. Disa kohë më parë, Edi Rama ishte bërë objekt kritikash edhe nga institucione ndërkombëtare pse gjatë një interviste televizive kishte folur për një bashkim klasik të shqiptarëve. Pikërisht në këtë atmosferë, Papa Françesku, në Meshën e Madhe, duke folur për sakrificën sublime dhe për kryqëzimin e të krishterëve shpalli se ky gjenocid fillon në agim të shekullit XX me armenët, të cilët, rreth një milion prej tyre, u përzunë dhe u vranë në mënyrë barbare prej Turqve të Rinj.

Në Shqipëri, opinionit të Ben Blushit që i kujtonte Janullatosit se duhet të fliste shqip, iu kundërvunë priftërinj dhe ndonjë intelektual që vjen nga minoriteti grek, ashtu si dhe e përkrahën në mënyrë folklorike edhe të tjerë që e mendojnë ende të tashmen si projektim të çështjeve të pazgjidhura etnike të shekullit të kaluar. Administrata e sotme turke reagoi ashpër kundër deklaratave të Papa Françeskut dhe në narrativën e tyre mund t’i gjeje të gjitha, nga konspiracioni deri te nervozizmi si stil kundërvënës.

Siç shihet, në të dyja rastet, historia vjen me forcën e atij që dikton sjelljet e sotme. Vetëm se ka një ndryshim. Në mentalitetin perëndimor të sotëm, historia nuk përfillet më si një konstante që mund të diktojë të sotmen. Siç dihet, Europa e bashkuar u ngrit mbi nocionin e bashkimit të tregjeve dhe jo mbi atë të rindarjes së kufijve. Mirëpo, memoria kolektive, në përgjithësi, është e shënjuar nga tradita historike dhe traditat nuk mund të shuhen e të shndërrohen në asgjë. Në këtë kuptim, Janullatosi, si hierark i lartë i Kishës Ortodokse, e mban veten dishepull të Kishës Greke Ortodokse, sepse kjo është tradita nga e cila ai vjen, ndërsa ne, shqiptarët, me mendjelehtësinë më të madhe, traditat i kemi rivlerësuar dhe ridimensionuar disa herë në rastin më të mirë dhe i kemi shkelur me këmbë për shumë kohë, në rastin më të keq.

Një nga traditat e shënuara të historisë sonë është ajo që lidhet me emrin e Fan Nolit, i cili krijoi Kishën Autoqefale Shqiptare. Po ashtu, në traditën tonë të literaturës kishtare, Kristoforidhi ktheu në shqip Dhiatën e Vjetër dhe plot literaturë nga kjo sferë. Gjithë kjo traditë e jona, shuhet si flaka e qiririt natën e Meshës së Madhe, pikërisht atë natë kur Janullatosi e mban në greqisht meshën e shenjtë. Mesazhi i tij është i qartë. Ai i mbahet idesë se greqishtja ishte gjuhë e Perëndisë dhe ortodoksit shqiptarë, në thelb të tyre, janë grekë. Pra, nëse ne, shqiptarët mendjelehtë, nuk e përfillim traditën si një përbërëse të jetës së përditshme dhe tregohemi naivë me të dhe fshijmë nga memoria kolektive veprën e Nolit, të Kristoforidhit apo të priftërinjve të tjerë ortodoksë që meshonin shqip, Janullatosi në krye të Kishës Shqiptare e respekton traditën e vendit të tij, që ushqehet nga teza e vjetër e Megaliidesë.

***
Edi Rama vetëm shqiptoi një pandehmë dhe e mbështeti atë mbi një të vërtetë historike dhe ajo nuk u pranua, sepse e vërteta historike lidhet gjithmonë me një sistem reference. Mirëpo këtu te sistemi i referencës punët komplikohen. Janullatosi e mbështet kokëfortësinë e tij për të mos meshuar shqip mbi një të fakt historik që është çmuar si reaksionar, shovinist dhe i kapërcyer, megjithatë askush prej institucioneve jashtë nesh nuk ia përmend. Papa Françesku denoncon pikërisht një të vërtetë të tillë të hidhur, shoviniste dhe të zhytur në gjak, siç është gjenocidi armen dhe ndaj tij administrata e sotme turke reagon me statusin e atij që traditën e ka të shenjtë edhe kur ajo është e mbytur në gjak. Nga kjo pikëpamje Janullatosi dhe turqit e sotëm sillen njësoj me traditën e tyre.

Turqit e sotëm nuk e pranojnë që kur përzunë dhe vranë mbi një milion armenë kryen një krim të rëndë, kryen gjenocid. Edhe Hirësia e tij, Janullatosi, nuk e pranon se Kisha Autoqefale Shqiptare dhe përdorimi i shqipes në shërbimet fetare të ortodoksëve shqiptarë janë një traditë e vyer e jona dhe bëjnë pjesë në memorien kolektive ashtu siç nuk mund të shuhet nga kjo memorie edhe gjenocidi mbi popullsinë çame.

Edi Rama artikuloi një të vërtetë historike që ka një referencë të kapërcyer, ndërsa Janullatosi dhe turqit e sotëm vijojnë të sillen me parametrat e një kompleksi idesh që kanë shkaktuar gjak dhe viktima. Mirëpo ne shqiptarët jemi një popull tragjik, sepse me traditën tonë nuk kemi ditur kurrë se si të sillemi. Atë e kemi revizionuar disa herë dhe gjithmonë ngutemi që në piedestalet e historisë të vendosim ikonat e marrëzisë sonë kolektive.

(Marrë nga Gazeta Sqhip)