Kriminelët serbë ndodhen në parlamentin e Kosovës, thotë Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, njëherësh kryetar i komunës së Gjilanit u shpreh se ngjarja e sotme në Mitrovicë, ku u vra politikani serb Oliver Ivanoviq, është një ngjarje që tregon edhe njëherë problemet mes serbëve. Thotë se kriminelë serbë ndodhen në parlamentin e Kosovës.

Lajme

16/01/2018 19:31

Sipas tij edhe presidenti Serb Aleksandar Vuçiç, e di mjaft mirë se në Mitrovicë, serbët kanë ngritur klane kriminale dhe po luftojnë njëri-tjetrin.

Ndërsa i bëri apel presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, që të angazhohen për të larguar kriminelët nga Kosova, të cilët sipas tij janë edhe pjesë e parlamentit të Kosovës, nën logon e Listës Serbe.

‘Sigurisht që Vuçic e di çfarë po ndodh me serbët në Kosovë. Serbët e Kosovës janë të varur nga Beogradi. Ai është i përfshirë në problemet e tyre si president por edhe si njeri, prandaj ai është mirë që ti shohë problemet brenda shtëpisë së tij dhe mos përzihet me Kosovën. Problemet që dalin në shtëpinë e serbëve nuk mund të pastrohen në Kosovë. Nga ana tjetër presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Kosovës, duhet të angazhohen për të larguar kriminelët nga Kosova. Ne jemi të informuar se një pjesë e këtyre kriminelëve janë pjese parlamentit të Kosovës. Bëhet fjalë për deputetë të Listës Serbe’, deklaroi Haziri në një intervistë  për Syri.net.