Krimet Ekonomike hetojnë Prokurimin e Mitrovicës për falsifikim të kontratës, komuna u dëmtua për 33 mijë euro

Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës është duke e hetuar një kontratë kornizë të nënshkruar nga komuna e Mitrovicës në prill të vitit 2013 në qeverisjen e drejtuar nga Avni Kastrati, e cila ka të bëjë me rrënimin e objekteve pa leje.

Lajme

24/02/2018 13:42

Burime të Veriu.info nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike, tashmë është në përfundim të mbledhjes së provave për këtë lëndë, për të cilën vërejtje kishte dhënë edhe Auditori Gjeneral.

Siç shihet edhe nga dokumente e siguruara nga Veriu.info prej policisë, kjo kontratë është nënshkruar më 12 prill 2013 nga tashmë ish drejtori i Drejtorisë së Prokurimit, Shefik Fazliu, Zyrtari i Prokurimit, Haxhimet Ferati dhe kompania “Burimi Sh.P.K.”

Hetimet për këtë kontratë kornizë ka nisur për shkak se në kontratën e nënshkruar nga Drejtoria e Prokurimit dhe të vulosur nga tri kompanitë konkurruese, çmimi për “rrënimin e objekteve mbindërtimore (shtylla, kulme dhe mure) dhe transporti në deponi” është 2 euro për njësi.  Këtë kontratë siç shihet edhe nga shkresat që i posedon Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike Policisë së Kosovës, e posedonte Drejtoria e Inspeksionit dhe bënte rrënime në bazë të saj.

Mirëpo, zyrtari i Prokurimit pagesat i kryente nga një kontratë e cila në pozicionin e tretë çmimin për “rrënimin e objekteve mbindërtimore (shtylla, kulme dhe mure) dhe transporti në deponi” e kishte tre fish më shumë, përkatësisht 6 euro për njësi. Por kjo kontratë ishte e vulosur vetëm nga kompania përfituese dhe Drejtoria e Prokurimit, gjë që ka bërë policinë para pak ditësh të troket në dyert e komunës. Nëse i krahasojmë dy kontrata e siguruar, çmimi në total është 18 euro për njësi. Por kontrata që dyshohet se është e falsifikuar pozicionin 1 e ka zbritur nga 10 në 6 euro, për shkak se ai pozicion shfrytëzohet shumë pak nga komuna dhe e ka trefishuar pozicionin e tretë nga 2 euro në 6 euro, për arsye se ky pozicion shfrytëzohet shumë dhe rrjedhimisht kryhen pagesa të mëdha prej tij.

Në një informatë shtesë të dërguar nga shefi i sektorit të ndërtimit, Vehbi Ahmeti për Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, thuhet: “Faturat, librat ndërtimor dhe ditarët e ndërtimor nuk i përgatitin inspektorët, por ato i përgatit kompania në fjalë, ndërsa në bazë të specifikacioneve që i marrim nga zyrtari i prokurimit Haxhimet Ferati i kontrollojmë pozicionet, nënshkruajmë faturat, ditarët dhe librat ndërtimor të cilat prapë i dorëzojmë në Drejtorinë e Prokurimit për t’i bashkëngjitur kontratat dhe pozicionet e verifikimit”.
Tutje, ndër të tjera, informata shtesë vazhdon: “Unë Vehbi Ahmeti, shef i sektorit të ndërtimit, me përgjegjësi ligjore dhe morale deklaroj se vetëm specifikacionin me një vule e kam marrë nga z. Harxhimet Ferati, si në kotratën e parë ashtu edhe në të dytën, dhe kurrë nuk kam marrë ndonjë specifikim (çmimore) tjetër”. Pra, ai akuzon zyrtarin e prokurimit Haxhimet Ferati se ia ka dhënë kontratën që dyshohet se është e falsifikuar.


Nga ky falsifikim i dyshuar i kontratës nga Drejtoria e Prokurimit, Auditori Gjeneral konstaton se komuna e Mitrovicës është dëmtuar për 33 mijë eurom, raporton Veriu.info.

Veriu.info mëson se shumë shpejt pritet ngritja e disa aktakuzave nga prokuroria për personat që dyshohet se e kanë falsifikuar kontratën.