Krim i dyfishtë në familje, 34-vjeçari vret me thikë gruan dhe kunatën

Duhej të ishte një drekë festive në familjen Musta, në Ballsh, ku Gazmenti kishte ftuar edhe motrën e bashkëshortes për festën e ndërimit të viteve, por përfundoi në një tragjedi.

Lajme

02/01/2019 19:33

34-vjeçari, i cili jetonte si emigrant në Greqi, pas një grindjeje për shkaqe banale, vrau me thikë si bashkëshorten e tij, Gentjanën 31-vjeçe, ashtu edhe motrën e saj, Merisën, 18-vjeçe.

Sipas të dhënave të para, çifti Gazment dhe Gentiana Musta, kanë debatuar pasi kjo e fundit kishte kërkuar të shkonte te familja e prindërve për festë, shkruan Top Channel.

Në debat e sipër, Gazmenti, i cili ishte edhe nën ndikimin e alkoolit, mori thikën dhe qëlloi për vdekje si bashkëshorten, ashtu edhe motrën e saj.

Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ku arrestoi autorin e krimit makabër, ndërsa dy viktimat u gjetën pa shenja jete.

Çifti Musta kishin edhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht të moshës 7 dhe 3-vjeç.