Krijuesit e VPN-ve, kundër Apple – Lajmi.net
Krijuesit e VPN-ve, kundër Apple
Autori: Lajmi.net Auto & TekTeknologji 0:23, 1 August 2017
Krijuesit e disa rrjeteve virtuale private, të njohura si VPN, kanë kritikuar vendimin e “Apple”-it për të hequr produktet e tyre nga “App Store” i saj në Kinë.

Sipas BBC-së, gjatë fundjavës janë hequr rreth 60 të tilla.

“Apple” shpjegon se i është kërkuar ligjërisht ta hidhte një hap të tillë, për shkak të mospërputhjes së tyre me rregullat e reja. Kompania refuzoi ta konfirmonte numrin e saktë të aplikacioneve të tërhequra, por nuk e mohoi shifrën.

Megjithatë, ajo shtoi se me dhjetëra VPN të ligjshme vazhdojnë të mbeten në përdorim. Një prej ofruesve të kësaj teknologjie, firma “Golden Frog” e kritikoi lëvizjen e gjigantit amerikan, e tha se do të paraqesë një aktpadi ndaj tij.

“Nëse Apple e sheh mundësinë e përdorimit si të drejtë të njeriut, shpresojmë që ta njohë si të tillë edhe qasjen në internet, e të zgjedhë të drejtat e njeriut përballë fitimit”, shkroi presidenti i saj Sunday Yokubaitis, në blogun e tij privat.

“ExpressVPN” u shpreh i zhgënjyer që kompania e famshme teknologjike është bashkuar – sipas tij, – me censurën. Aplikacionet në fjalë janë ende të disponueshme në dyqanet “App Store” të “Apple”-it jashtë Kinës.

Pekini i censuron prej vitesh përmbajtjet e konsideruar si “politikisht delikate”, e për këtë përdor një set tejet të sofistikuar filtrash, të cilin kritikët e kanë quajtur “muri i madh i zjarrit”.

VPN-të u lejojnë përdoruesve shmangien e filtrave të tillë dhe qasjen në faqe interneti apo shërbime që janë të kufizuara apo edhe të ndaluara krejtësisht. Në renditjen e saj më të fundit, “Freedom House” e cilësonte Kinën si “abuzuesen më të madhe të vitit me lirinë e internetit”. /Lajmi.net/

Fjalët kyçe: Apple, VPN

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play iStunt 2
  • Play Pro Kicker Frenzy
  • Play Stealth Sniper
  • Play Urban Basketball