Krijohet bateria prej alumini që mbushet për një minutë

Ka probleme të mëdha me bateritë e celularëve të mençur, orëve të mençura dhe pajisjeve të tjera të cilat i përdorim çdo ditë.

Auto & Tek

08/04/2015 18:36

Por, tani, një ekip i hulumtuesve në Universitetin Stanford ka krijuar një bateri prej alumini e cila ofron disa përmirësime të baterive me litium të cilat janë në celularët e tanishëm.

Kjo lloj baterie përfshinë super-mbushje me energji, e cila mund të mbushet plotësisht brenda një minute, transmeton Lajmi.net.

Bateria prej alumini tingëllon si një ëndërr që është gati për t’u bërë realitet për prodhuesit e pajisjeve.

Deri më tani, bateritë prej alumini nuk ishin në gjendje që të prodhojnë tension të mjaftueshëm të rrymës, sidomos pas disa cikleve të mbushjes.

Por, ky prototip nga hulumtuesit e Stanford përbëhet nga një anodë alumini dhe një katodë e bërë nga grafiti – një kombinim i materialeve që lejon prodhimin e tensionit të mjaftueshëm (rreth dy volt) edhe pas shumë cikleve të rimbushjes, transmeton Lajmi.net.

Bateria mund të rimbushet në vetëm një minutë, është e përshtatshme për pajisje të ndryshme dhe është e lirë, përderisa alumini është më i lirë se litiumi.

Për më tepër, materialet në këtë bateri janë më të sigurta se ato në bateritë litium, të cilat mund të ndizen flakë në situata të ndryshme. Ndryshe, bateria me alumin nuk merr flakë në asnjë situatë.