Krerët shtetërorë kërkojnë më shumë angazhim për Agjendën e Reformave Evropiane – Lajmi.net
Krerët shtetërorë kërkojnë më shumë angazhim për Agjendën e Reformave Evropiane
Autori: Lajmi.net LajmePolitikë 12:23, 11 June 2018
Ministrat duhet të angazhohen që obligimet e papërmbushura për Agjendën e Reformave Evropiane t’i përfundojnë në kohë, duke intensifikuar të gjitha veprimet e nevojshme.

Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj në takimin e rregullt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian i dedikuar për zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA), të organizuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se Kosova është në prag të vendimeve të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave dhe u rikujtoi detyrat që institucionet përkatëse i kanë nga agjenda evropiane.

“Synimi strategjik i Qeverisë është përmbushja e kritereve për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe ne jemi të përkushtuar që kjo të përfundojë me kohë”, tha kryeministri Haradinaj dhe shtoi se implementimi efikas i detyrimeve që dalin nga kontrata jonë me BE-në, që është Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, do të jenë themel i anëtarësimit tonë meritor dhe heqjes së regjimit të vizave për kosovarët.

Kryeministri Haradinaj, më tutje theksoi se duhen trajtuar me prioritet të shtuar të gjitha ngecjet që adresohen në raportin për vendin dhe të kemi kujdes që implementohen saktë dhe qartë të gjitha rekomandimet e mbështetura në të dhënat konkrete.

Haradinaj gjithashtu tha se ministrat duhet të njoftojnë Këshillin sot për të gjitha sfidat, ngecjet dhe në çfarë afati kohor planifikojnë t’i realizojnë obligimet.

“Jam i vetëdijshëm që duhet bashkëpunim i ngushtë me Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të ecim përpara në përmbushjen e tërësishme të të gjitha prioriteteve, veçanërisht kur kemi parasysh agjendën legjislative”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se agjenda evropiane është interes strategjik yni, qëllim në vete dhe ndërlidhet me liberalizimin e vizave.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, nikoqire e këtij takimi tha se është koha e fundit që të fokusohemi në përmbushjen e obligimeve që dalin nga ERA dhe numëroi të gjitha detyrat që i presin ministritë përkitazi me Agjendën Evropiane.

Pas përfundimit të takimit Kryeministri Ramush Haradinaj së bashku me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një konferencë për media ritheksuan edhe njëherë vendosmërinë e institucioneve për të kryer të gjitha detyrimet e papërmbushura.

“Ishte ndjenjë e mirë me qenë në një takim ku raportimi është i saktë dhe flitet për tema konkrete, jepen afatet kohore. Kjo është një dëshmi që Agjenda Evropiane respektohet në të gjitha nivelet e qeverisjes”, tha kryeministri Haradinaj në konferencë për medie dhe shtoi se është rënë dakord edhe për një takim të këtij niveli kah fundi i këtij muaji.

Në takim, raportuan ministrat Mahir Yagcilar, Abelard Tahiri, Pal Lekaj, Bejtush Gashi dhe Bajram Hasani, ndërsa Ministrja Hoxha ka përmbyllur takimin me konkluzionet, detyrat dhe afatet për zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave./Lajmi.net/

 

 

 

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO