Krenar me Manchester Cityn

Manuel Pellegrini ndihet krenar me lojën që e shfaqi Manchester City gjatë këtij sezoni. Trajneri kilian e ka përgëzuar ekipin e tij, sidomos fazën e sulmit, e cila ishte e ‘frikshme’.

Sport

12/05/2014 11:48

Manuel Pellegrini e ka pranuar se është jashtëzakonisht i kënaqur me mënyrën se si Manchester City e fitoi titullin në Premierligë, të dytin në tri sezonet e fundit.

City kishte nevojë vetëm për një pikë, për t’u shpallur kampion, por e kreu punën me një fitore komode në shtëpi, 2:0 ndaj West Ham.

Samir Nasri e Vincent Kompany ishin shënues të golave në Etihad Stadium, ndërsa Hammers ishin të paaftë ta ndalnin sulmin e Citizens.

Trajneri kilian e shijoi paraqitjen e djelmoshave të tij gjatë sezonit, ndërsa ky ishte trofeu i tij i dytë në Angli, pas Capital One Cup.

“Nuk është i rëndësishëm vetëm fitimi i titujve, por mënyra se si i fiton ata. Ne kemi lojtarë që luajnë në kundërsulme, të shpejtë dhe me teknikë të mirë. Jam mjaft i kënaqur me lojën që e shfaqëm gjatë sezonit”, deklaroi ish trajneri i Real Madridit.

“Tifozët e shijuan tërë sezonin. Thyem rekord për numrin më të madh të golave të shënuar. Kjo është mënyra që duhet të luajmë me kualitetin e lojtarëve që kemi”.

“Natyrisht, jam krenar që e drejtoj këtë grup të lojtarëve dhe këtë ekip. Është një nder i madh të jem menaxheri i parë nga jashtë Evropës që e fitoj titullin në Angli, por unë nuk jam njeriu më i rëndësishëm”, shtoi ai.

“Mendoj se ne të gjithë e shijuam sezonin, lojtarët, unë, tifozët, sepse ekipi luajti mjaft mirë. Kjo është po aq e rëndësishme sa ta fitosh një titull. I uroj të gjitha ekipet, ishte një sezon i jashtëzakonshëm”, përfundoi Pellegrini.