Krenar dhe i mërzitur

Tiago ndihet krenar me atë që e bëri Atletico Madridi këtë sezon. Por, mesfushori portugez në të njëjtën kohë është i mërzitur me humbjen në finale të Ligës së Kampionëve nga Real Madrid.

Sport

25/05/2014 11:54

Mesfushori i Atletico Madridit, Tiago insiston se ekipi nuk la asgjë pa bërë, vetëm për ta fituar Ligën e Kampionëve, por e pranon se Los Colchoneros i lëshoi fuqia dhe me këtë rast humbën 4:1 nga Real Madridi në finalen e së shtunës.

Diego Godin e kaloi ekipin e Diego Simeones në avantazh, ndërsa Sergio Ramos i barazoi shifrat në minutën e fundit të ndeshjes.

E në lojën shtesë, Los Blancos ishin dukshëm më të mirë, duke shënuar tre gola përmes Gareth Bale, Marcelo e Cristiano Ronaldo, në ndeshjen e zhvilluar në Estadio da Luz.

“Ne dhamë gjithçka, por në fund ne nuk kishim fuqi. Jam mjaft krenar, por edhe i mërzitur në të njëjtën kohë. Ne do të vazhdojmë ta japim jetën për këtë ekip”, deklaroi portugezi për La Sexta.

Atletico nuk arriti ta fitonte Ligën e Kampionëve për herë të parë në histori, ndërsa kishte shkuar në finale edhe para 40 vjetësh, kur ishte mposhtur nga Bayern Munich.

Në anën tjetër, ekipi i Carlo Ancelottit e siguroi titullin e dhjetë në histori të këtij kompeticioni.