Kreditë e bizneseve kosovare, 1.2 miliard euro

Të dhënat e Bankës Qendrore flasin se kreditë e bizneseve në Kosovë në vitin 2013 kishin arritur shumën prej 1.2 miliard euro.

Lajme

18/08/2014 23:13

Këto të dhëna dalin nga një hulumtim që ka kryer Open Data Albania, lidhur me kreditë e korporatave të tjera depozituese KTD në Republikën e Kosovës në vitet 2007-2013.

Sipas ODA, në vitin 2013, kreditë në total për bizneset në Republikën e Kosovës shënojnë vlerën e 1.2 miliard eurove, ndërkohë që në të njëjtin vit në Republikën e Shqipërisë këto kredi shënonin vlerën e 2.8 miliard eurove.

Sipas këtij hulumtimi, gjatë viteve 2007-2013, kreditë e KTD-ve në Kosovë kanë ardhur duke u rritur.

Vlerën më të madhe ndër kreditë e korporatave të tjera depozituese, sipas aktivitetit ekonomik, e shënojnë ato të sektorit të shërbimeve. Në vitin 2013 kreditë lëshuar bizneseve që ofrojnë shërbime përbënte 72% të kredive për aktivitet biznesi në total.

Gjithmonë, sipas këtij hulumtimi, në harkun kohor 2007-2013, kreditë për sektorin e bujqësisë janë rritur me 58%, ato për sektorin e industrisë, energjetikës dhe ndërtimtarisë janë rritur me 102% dhe kreditë për sektorin e shërbimeve janë rritur me 70%.

“Rritjen më të ulët ndër tre sektorët kryesorë duket ta ketë pësuar bujqësia. Kjo si pasojë edhe e subvencioneve të Qeverisë për nxitjen e aktivitetit bujqësor në Kosovë, si dhe skemës së garantimit të kredive bujqësore të mbështetur nga USAID”, thotë hulumtimi i ODA.