Kreativiteti destruktiv i politikës kosovare

Kemi arritë të krijojmë rrethana të papara në relacionet tona me SHBA-në, e cila, përmes Presidentit, Zëvëndës-Presdidentit, State Departmentit, Ambasadës në Prishtinë, na ka treguar qëndrimin për kufirin e Kosovës dhe Malit të Zi.

Opinion

08/12/2017 09:31

Shkruan: Blerim Shala

U bëmë përrallë.

Një fjali e vetme, fare e shkurtër, çfarë është kjo e para, në krye të këtij shkrimi, me siguri është shpjegimi më i mirë dhe më i sakt i mundshëm i gjithë rrëfimit për Marrëveshjen për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Natyrisht, do të mund të shkruhej, njëkohësisht, edhe një vëllim i madh, qindra a mijëra faqesh  (madje), me po të njejtën tematikë. Aty do të përmblidheshin të gjitha ngjarjet, deklaratat, intervistat, interpretimet shkencore, politike, morale, juridike, vendore dhe ndërkombëtare, të cilat në tërësinë e tyre, nuk çelën udhë për ne, si politikë dhe si shoqëri për ta kryer si duhet këtë detyrim ndaj vetes, ndaj një shteti fqi, ndaj Bashkimit Evropian, ndaj SHBA-së.

Njëri prej argumenteve më paradoksal  (megjithëse ka të tillë sa të duash, me bollëk në gjithë këtë kallëzim), që është dëgjuar në dy vit e gjysmë që prej se ne, ditë pas dite, mirremi me këtë ‘Operë sapuni’  (serialet e nohura televizive, por në rastin tonë pa një happy end), është që këtë kriter për të fituar Liberalizimin e vizave, ia kemi imponuar vetes gjatë bisedimeve me BE-në. Një shtet, cilidoqoftë ai, sepse ky është një ‘alfabet’ politik dhe diplomatik i secilit shtet, e ka të domosdoshme që sa më parë që është e mundur t’i kodifikojë kufinjtë e vet me shtetet fqinje, një herë përmes shenjimit të tyre në hartë, e pastaj, edhe përmes demarkacionit konkret në terren. Derisa të mos e bëjë këtë punë me shtetet fqinje, ai shtet nuk i ka stabilizuar themelet e veta, qëndrueshmërinë e tij, brenda territorit të vet, në rajon dhe në Bashkësisë Ndërkombëtare. Pra, edhe poqëse nuk do të ishte fare ky kriter për Liberalizimin e vizave, ne vet, në ushtrimin e shtetësisë sonë, do të duhej ta rrumbullakësonim temën e kufijve me shtetet fqinje. Këtë e kemi bërë, në gati dhjetë vjet të ekzistencës sonë shtetërore, vetëm me Maqedoninë, dhe atë falë provizioneve të Propozimit gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari. Ndryshe, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, mbi të gjitha ka për synim vendosjen e kufijve në mes të dy shteteve, të cilët, në rastin e Kosovës, që prej çlirimit në vitin 1999 e tutje, kanë nënkuptuar, faktikisht, insistimin e Serbisë që kufiri të jetë në lumin Ibër.

Çështja e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, në rrjedhën e tij të deritashme, na ka shkaktuar dëme të shumëfishta, ‘inventarizimin’ e të të cilave nuk mund ta bëjmë dot ende, sepse vëllimi i tyre sa vjen e shtohet, për çdo ditë të lume. Kush e di se ku do të mbërrimë. Neve nuk na dihet. Jemi kreativ në destruktivitetin tonë.

Mbi të gjitha, jemi treguar krejtësisht joserioz, si shtet, si politikë. Kjo mbase është ‘njësia’ më problematike të dëmit që ia kemi shkaktuar vetëvetes. Nuk mund dhe nuk bën tema e kufirit të një shteti, të bëhet çështje debatesh gjithëpopullore, mediatike, thuajse bëhet fjalë për estradë. Ne pra, kemi ‘estradizuar’, kemi banalizuar, kemi degraduar në shkallë të paparë, çështjen e kufirit me Malin e Zi, me një shtet që ka qenë dhe mbetet mik i Kosovës.

Dëmi tjetër që ia kemi bërë vetes është krijimi i një ‘aplikacioni’ në politikën kosovare, të cilin e përdorim vazhdueshëm, për qërimin e të gjitha hesapeve të mundshme në mes të politikanëve dhe subjekteve politike. Ecja jonë politike, me këtë temë si objekt shqyrtimi të përditshëm, i ngjet një vrapuesi maratoni, që bartë barrën prej njëzet kilogramë mbi shpinë. Natyrisht, herët a vonë, ai do të rrëzohet.

Më së shumti falë kësaj çështjeje, ne kemi arritë të krijojmë rrethana të papara dhe të papërjetuara ndonjëherë në relacionet tona me SHBA-në, e cila, përmes Presidentit  (Obama), Zëvëndës-Presdidentit  (Biden), State Departmentit, Ambasadës në Prishtinë, na ka treguar në mënyrën më të qartë të mundshme se çka mendon për temën e shenjimit të kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi.

Sa për marrëdhëniet tona me BE-në, nuk ka çka të flitet fare.

Por, dëmi kryesor, me gjasë, që po del gjithnjë e më shumë në shesh, veçmas javëve të fundit, ka të bëjë me raportin e qytetarëve të rëndomtë të Kosovës me politikën, me institucionet e shtetit. Këta qytetarë me të drejtë po theksojnë që politika kosovare po ua mohon, me sjelljet dhe veprimet e veta, njërën prej lirive themelore, atë të lëvizjes, të udhëtimit, në Evropë.

Kush nuk ka mundur të paramendojë që do të mbërrimë këtu ku jemi sot. Për të keq. Natyrisht.