Kreacionet e Merita Harxhi Kocit, tashmë edhe në Tiranë (Foto)

Pra fustanet e Merita Harxhi Kocit, mund t’i gjeni edhe në Tiranë, në atelienë 'Hey Jude', ku Merita për KultPlus, tregoi se ka besim të plotë që puna e saj do të prezantohet shumë mirë.

ShowBiz

26/04/2017 13:54

Kreatorja kosovare Merita Harxhi Koci, vazhdon të sjellë risi, jo vetëm me kreacionet e saj të mrekullueshme, por edhe risi të tjera që të jetë sa më afër klientëve të saj. Kësisoj së fundmi Merita, nisi bashkëpunimin me kolegen e saj nga Tirana, artisten e njohur Rudina Memaga, që kreacionet e kësaj të parës të vendosen në atelienë ‘Hey Jude’, të Memagës. Pra tashmë fustanet e Merita Harxhi Kocit, mund t’i gjeni edhe në Tiranë, në atelienë e Rudinës, ku Merita për KultPlus, tregoi se ka besim të plotë që puna e saj do të prezantohet shumë mirë.

“Rudina është shumë kreative prandaj kam besim që kreacionet e mija, përpos punë vetë veta, do ti prezantoj shumë mirë në Tiranë. Me Rudinën kemi qenë në shumë ekspozita në shumë shtete. Kam besim në punën e saj, dhe ajo ka besim në punën dhe artin tim, prandaj kur më ka thënë se po e hap një atelie – ishte një ide e dyanshme.”, nisi rrëfimin për KultPlus, Harxhi Koci, e cila poashtu tha se në këtë atelie do të dërgojë fustane sa të ketë nevojë, dhe sipas saj, është shumë me rëndësi që trendët në botë dhe kualitetin e punës së saj ta dërgoi edhe në kryeqytetin shqiptar.

“Besoj që nuk do të ketë ndonjë problem për shkak se unë insistoj që kreacionet të jenë sa më komode, trendi dhe të jenë kualitetative. Sidoqoftë, me kujdes do të i përcjelli kërkesat dhe nevojat e zonjave dhe zonjushave të tiranes. Kam shumë blerës nga Shqipëria në përgjithësi, e posaçërisht nga Tirana. Normalisht, tash punën time do ta kenë rastin ta sheh një numër më i madh i blerësve. Kjo besoj që do të ndikoj pozitivisht edhe në përhapje të brendit tim”, pohoi për KultPlus, kreatorja Merita Harxhi Koci.

Krejt në fund, ajo për KultPlus, tregoi se është në fazën finale të koleksionit të ri 2017/2018. Është vetëm çështje ditësh dalja e këtij koleksioni me një sesion fotografish të reja. “Nuk dua të flas më shumë për këtë kreacion në këtë fazë, sepse dua që së pari të shijohet vizualisht e pastaj do ta komentojmë së bashku”, përfundoi Merita Harxhi Koci.