Krasniqin e Kurtin i bashkon kritika

Jakup Krasniqi dhe Albin Kurti kritikojnë Projekt-Buxhetin për vitin 2014. Sipas Kryeparlamentari thotë se ky është Buxhet i konsumit. Kurti thotë se Qeveria nuk ka vizion as plan zhvillimor.

Lajme

21/11/2013 16:30

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka shprehur rezerva ndaj Projekt-Buxhetit të vitit 2014, duke e quajtur atë si “buxhet të konsumit”.

Krasniqi foli para deputetëve gjatë shqyrtimit të parë në Kuvend të Buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Ne të gjithë do ta kishim dëshiruar që vërtet Buxheti i Kosovës të jetë zhvillimor, por 1 miliard e 590 milionë euro realisht nuk mund të jetë Buxhet zhvillimor. Është një Buxhet i konsumit”.

“A ka mundësi që Kosova ta ketë një Buxhet më të mirë? Unë e kam një bindje që do të  mund ta kishte Buxhetin dikund rreth 2 miliardë euro dhe pastaj mund të flisnim për një zhvillim”.

Krasniqi foli konkretisht për komunën prej të cilës vjen, për Drenasin, ku tha se asnjë projekt i Qeverisë atje nuk është kualiteti. Drenasi tha se është Komuna më e “prapambetur” dhe këtë gjë, sipas tij, kjo Komunë nuk e meriton.

“Në Drenas nuk ka asnjë rrugë që mund të quhet rrugë e kualitetit, në Drenas nuk ka asnjë ujësjellës të përfunduar, edhe për rrugët edhe për ujësjellësit edhe për kanalizimet Komuna e Drenasit është Komuna më e prapambetur në Republikën e Kosovës dhe unë jam i bindur që nuk e meriton”.

“Unë nuk them që krejt kjo gjë është të Buxheti, sigurisht është edhe te mosdija e Qeverisë, unë mund të them që kushdo mund ta vërtetojë këtë, asnjë projekt”.

“Në Komunën e Drenasit asnjë kanalizim dhe asnjë ujësjellës nuk është i përfunduar edhe aty ku është punuar është punuar keq prandaj konsideroj që Buxheti i aprovuar për këtë Komunë nuk i plotëson kushtet për ta ndryshuar dhe për ta ngritur kualitetin e jetës së qytetarëve të Drenasit”.

Edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se ky Buxhet nuk është zhvillimor.

Ai tha se Qeveria e ka të lehtë të kënaqë FMN, por sipas tij ky Buxhet nuk plotëson kërkesat e qytetarëve  për “një jetë të dinjitetshme”.

“Qeveria e Kosovës nuk ka vizion për zhvillim ekonomik e lëre më plan konkret”.

“Qeverisë  i intereson që FMN’ja të mos hidhërohet, e dihet që FMN’ja është kollaj e kënaqur përderisa asaj i interesojnë vetëm numrat përfundimtarë të jenë të barazuar dhe jo proceset ekonomike dhe strukturat ekonomike në vendin tonë”.

“Me këtë Buxhet që e kemi para vetës, nuk plotësohen nevojat e qytetarëve, nuk rriten mundësitë për qytetarët dhe imponohet shkelja e të drejtave të tyre për jetë të dinjitetshme”.

“Kur flasim për Buxhetin, kjo Qeveri me këtë Kryeministër e këta Ministra nuk flasin për një pasuri të shtetit që u shërben qytetarëve, ndërkaq këta ta menaxhojnë përkohësisht, por flasin si për një punë të tyre që të gjithë qytetarët e Republikës i kthen në shërbëtorë, në argatë, ose klientë”.

Kurti tha se ky Buxhet nuk ka përfillur të gjeturat e Raportit të Progresit. Ai edhe një herë përmendi zyrtarët publikë që kanë më shumë se 2 vende pune, e “papunësia në Kosovë është enorme”.

“I kotë paska qenë edhe Raporti i Progresit për vitin 2013, pasi që të gjeturat dhe vërejtjet e tij nuk i adreson Projekt0Buxheti për vitin 2014”.

“Papunësia në Kosovë është edhe enorme, por edhe po rritet ndërkaq në anën tjetër sipas Raporti të Progresit 2013 më shumë se 800 zyrtarë publikë në Kosovë kanë më shumë se 2 vende pune e disa prej tyre deri në 5 vende pune”.