Krasniqi: Qytetarët ia dhanë besimin koalicionit PAN

(I plotësuar)- Memli Krasniqi i PDK-së ka thënë se koalicioni PAN është i vetmi të cilit qytetarët e Kosovës ia kanë dhënë besimin.

Lajme

12/06/2017 00:04

I pyetur në RTV Dukagjin se me cilën parti do të bëjnë koalicion, Krasniqi ka thënë se sonte nuk është momenti për të diskutuar një gjë të tillë.

“Ne e kemi një koalicion, koalicioni i vetëm është me qytetarët që na kanë dhënë besimin. Për herë të parë kemi pas një koalicion parazgjedhor, sot nuk është nata me fol për numra do të ishte e padrejtë për qytetarët të diskutohej sonte për numra”, ka thënë Krasniqi, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, është e qartë se kujt i kanë dhënë mandat qytetarët për ta udhëheq Kosovën në katër vitet e ardhshme.

“Ne duhet me fillu punën për vendin, të punojmë për heqjen e vizave,për zhvillimin ekonomik, për gjithçka që na pret”./Lajmi.net/

Memli Krasniqi: Dikush nga partnerët e koalicionit ka humbur vota

​Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi thekson se dikush nga partnerët në PAN ka humbur vota.

“Nuk e besoj se ka ndodh diçka shumë e jashtëzakonshme por si koalicion kemi një numër dukshëm më të madh të votave”, tha ai.

“Do të ishte e padrejtë tash që unë të vlerësoj se cila parti krahasuar me herën e kaluar nga partnerët e koalicionit mund të ketë shënuar ulje të numrit të votave”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se koalicioni PDK-AAK-Nisma do t’i ketë të paktën 41 deputetë.

Thotë se nuk mund të ketë ‘krizë’ për krijimin e Qeverisë.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Vetëvendosjes se VV janë partia e parë në vend, Krasniqi tha se ‘secili është i lirë të vlerësoj rezultatin që ka”.

Thekson se mandatin për krijimin e Qeverisë e merr subjekti fitues, e në këtë rast sipas tij, PDK-AAK-Nisma.

Nuk mund të ketë krizë

“Subjekti politik që fiton zgjedhjet është koalicioni që ka numrin më të madh të votave dhe deputetëve dhe mandatin për krijimin e Qeverisë”, tha Krasniqi në televizionin Dukagjini.