Krasniqi pyet prokurorin e EULEX-it: Sa akuza keni ngritur mbi bazën e thashethemeve?

Ish kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i është drejtuar prokurorit finlandez të EULEX-it, në lidhje me rastin e skandalit të fundit me letrën drejtuar presidentes Atifete Jahjaga, për kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi, derisa ky i fundit po priste dekretimin për pozitën e tij.

Lajme

24/04/2015 22:15

Krasniqi e ka pyetur përmes profilit personal të Facebook-ut Wendrofin se sa akuza i ka ngritur mbi bazën e thashethemeve.

“Njeriu me mendje të kthjelltë ne një rast të tillë nuk ka qare pa ia shtruar një pyetje vetvetes, në ketë rast pse jo edhe Ju. Nëse letrën që i keni dërguar Presidentes e keni ngritur mbi bazën e thashethemeve, sa akuza i keni ngritur mbi bazën e thashethemeve? A është ky rasti i parë dhe i vetmi që Prokurorët e EULEX-it ngritin akuza mbi ketë farë baze?”, ka shkruar ai.

“Unë po u besoj, besoj se njësoj si unë, ju besojnë edhe shumë bashkëkombës të mi. A e dini pse? Në Kosovë është një grup i madh i njerëzve që për shumë vite kanë bërë punë të liga kundër vendit e popullit tonë, kanë ngritë edhe medie te fuqishme, ku kanë akuzuar rrejshëm kundër cilitdo që ka guxuar të luftojë për liri. Ata nuk kanë guxuar ta bëjnë një gjë të tillë kundër Serbisë, por e kanë fituar guximin me yshtjet e disa ndërkombëtarëve, për të dëshmuar rrejshëm”, ka shkruar më tej Krasniqi.

Krasniqi ka shprehur bindjen se mbi bazën e dëshmive të rrejshme dhe të thashethemeve janë dërguar dy raste (Limaj dhe Haradinaj) në Tribunalin e Hagës prej nga kanë dalë të pa fajshëm.

“Pse thua ti? Pse kanë qenë të ngritura mbi bazën e thashethemeve ose dëshmive të rrejshme. Kur kjo u ka ndodhur jo pak herë Prokurorëve të tjerë të EULEX-it, ndaj shumë rasteve. Kush mund të na garantojë se mbi bazën e thashethemeve nuk po kërkohet të ngrihet edhe Gjykata Speciale për trafikimin e organeve te kryera nga UÇK-ja? Sigurisht që ka edhe raste të tjera, dhe njeri nga ato raste pa dyshim që është edhe rasti Kiçina, që mbahen në burg mbi bazën e thashethemeve. Kush duhet të kërkojë falje për rastin në fjalë? Thashetheme, por këto thashetheme njerëzve po ua bëjnë gjamen!”, ka thënë Krasniqi.